Nga një skenë e vogël disa metra larg anijes kozmike të tij gjigante “Starship”, Elon Musk dha disa detaje të reja të enjten në darkë mbi planin e tij ambicioz për të arritur në Hënë dhe për të kolonizuar Marsin. Një prezantim i tillë, pritej prej muajsh, por ata që prisnin lajme të rëndësishme dhe disa detaje të reja mbi një plan kaq të guximshëm u zhgënjyen.

Duke folur për zhvillimin e arritur nga kompania e tij hapësinore SpaceX, Musk në thelb përsëriti atë që kishte njoftuar tashmë në rastet e tjera, pa zbuluar detaje të reja apo të veçanta në lidhje me iniciativën e tij. SpaceX, deri më tani, është kompania hapësinore që bën më shumë lëshime çdo vit drejt orbitës së Tokës dhe kjo falë raketave të saj Falcon 9.

Nga Boca Chica, një zonë e madhe e sheshtë në Teksasin jugor me pamje nga Gjiri i Meksikës, kompania ka ndërtuar një Starbase, i cili është një kompleks i madh që do shërbejë për ndërtimin dhe testimin e anijes së re kozmike “Starship” dhe raketës Super Heavy, e cila do e çojë atë drejt orbitës.

Me kalimin e kohës, Starbase është zmadhuar, duke përfshirë ndërtesa dhe magazina të shumta, por mbi të gjitha një platformë të madhe nisjeje që rezultoi të ishte pothuajse po aq e vështirë për t’u projektuar dhe ndërtuar sa anija kozmike, shpjegoi Musk, gjatë prezantimit.

(SpaceX)

Para një auditori punonjësish të SpaceX dhe disa gazetarëve, Musk filloi të trajtojë një temë që e kishte përmendur disa herë në fjalimet e tij: nevoja për ta bërë jetën “multiplanetare”. Ideja e tij buron nga besimi se e ardhmja e qenieve njerëzore varet nga aftësia për të kolonizuar planete të tjera dhe për ta realizuar një gjë të tillë, thotë ai, duhen anije kozmike shumë më të mëdha dhe më të fuqishme se ato që janë tani, të cilat mund të kenë aftësinë për të transportuar njerëz, mallra dhe materiale në Mars.

Starship, sipas tij, duhet të shndërrohet në mjetin që mund ta bëjë të mundur këtë, por me kalimin e viteve projekti fantashkencë i Musk është dashur të përballet disa herë me realitetin, duke filluar që nga momenti i konkretizimit të tij.

Në vitin 2016, Musk spekuloi se Starship, mund të ishte gati për të realizuar një udhëtim eksperimental pa pilot drejt planetit Mars në vitin 2022 dhe me njerëz në bord disa vite më vonë. Gjërat shkuan krejt ndryshe. Anija kozmike u ndryshua ndjeshëm dhe për rrjedhojë edhe koha për ndërtimin e saj.  Në shtator të 2019-ës, Musk tha se Starship, mund të realizojë një fluturim orbital në gjashtë muajt e ardhshëm, por tani kanë kaluar 30 muaj dhe anija kozmike ende nuk e ka kaluar atmosferën e Tokës.

Gjatë prezantimit, Musk tha se fluturimi orbital pritet të realizohet këtë vit, por nuk dha detaje të tjera. Përveç vështirësive teknike, SpaceX, duhet të përballet me marrjen e lejeve nga agjencitë federale për të kryer testet e veta. Një analizë e ndikimit mjedisor në Boca Chica dhe çdo problem tjetër sigurie është ende duke u analizuar nga qeveria e SHBA-ve.

Starship është 50 metra i lartë me një diametër prej 9 metrash, deri më tani ka përfunduar vetëm disa teste të rëndësishme për nisjen, duke arritur në një lartësi prej 10 mijë metrash. Në testin e fundit të kryer në fillim të majit 2021, anija kozmike ishte në gjendje të bënte një ulje të kontrolluar, pa shpërthyer në kontakt me tokën, siç kishte ndodhur më parë me prototipet e tjera. Nga ana tjetër, Super Heavy, 69 metra e lartë, nuk ka fluturuar kurrë, por ka kryer vetëm disa teste të 29 motorëve të saj.

Musk më pas tregoi një animacion, një verision i përditësuar i atyre që kishte publikuar më parë, me qëllimin për të ilustruar se si mund të funksionojë sistemi i lëshimit. Siç edhe u njoftua më parë, ai pret që lëshimet të bëhen me Starship, i cili montohet në majë të Super Heavy. Raketa e madhe ndez 29 motorët e saj dhe e shtyn anijen kozmike përtej atmosferës së Tokës, kjo e fundit, kryen më pas një manovër për t’u rikthyer në Tokë dhe për të arritur përsëri në pikën e lëshimit, ku dy krahë mekanikë kanë për detyrë ta kapin atë.

Në këtë mënyrë Starship do të jetë në gjendje të transportojë satelitë dhe materiale të tjera në orbitë, duke u kthyer më pas në Tokë si një Super Heavy. Në rastin e udhëtimeve më të gjata, në Hënë ose Mars, ajo do të mbetet në orbitë duke pritur për t’u arritur dhe për t’u lidhur me një anije tjetër kozmike për t’u furnizuar me karburant me qëllimin që të ketë mjaftueshëm furnizim për të vijuar më thellë në hapësirë.

Starship, fillimisht do të përdoret kryesisht për udhëtime të shkurtra për të transportuar satelitët në orbitë, në mënyrë që të kontrollohet funksionimi i sistemit përpara se të fluturojë me ekuipazh në bord. Megjithatë, Musk nuk ka dhënë detaje të reja mbi këto aspekte, as se si do të projektohet pjesa e brendshme e anijes së madhe kozmike për astronautët dhe çfarë sistemesh do të adoptohen për t’i mbrojtur ata nga rrezatimi i dëmshëm, në rastin e një udhëtimi disa mujor në Mars.

Në përgjithësi, asnjë informacion i ri nuk është dhënë për pjesën mbizotëruese të projektit, që përfshin udhëtimin në Hënë dhe më vonë atë në Mars. Mungesa e detajeve mori kritika të shumta, veçanërisht në lidhje me misionet që do realizohen në të ardhmen në hapësirë dhe që lidhen me Starship. Kjo nuk është një çështje e parëndësishme, duke qenë se projekti prek drejtpërdrejt NASA-n.

Starship në Hënë, një përpunim grafik (NASA)

Në prill 2021, NASA në fakt kishte lidhur me SpaceX një kontratë prej 2.9 miliardë dollarësh për të përdorur Starship si një mjet për uljen e ardhshme në Hënë, si pjesë e programit hapësinor Artemis, i nisur pikërisht për të shkuar në Hënë me ekuipazh. Një plan i tillë parashikon që ulja në Hënë, e para me një astronaut, do të realizohet në vitin 2025, por ka dyshime të forta se edhe NASA do të ketë gati të gjitha pajisjet e nevojshme deri atëherë.

Përtej vështirësive dhe vonesave, Starship mbetet projekti më i madh dhe më ambicioz të paktën tani për tani në eksplorimin e hapësirës. Më herët, SpaceX ka dëshmuar se mund të arrijë rezultate të shkëlqyera dhe në shumë pak vite ka sjellë risi të rëndësishme në industrinë hapësinore, duke bërë të mundur lëshimin e shpeshtë të anijeve kozmike me kosto relativisht të ulët dhe kjo falë raketave të saj që mund të ripërdoren të paktën pjesërisht.

Top Channel