Pas bisedimeve në Moskë me Vladimir Putinin, të cilat nuk arritën ndonjë rezultat konkret për zhbllokimin e situatës, presidenti francez Emmanuel Macron mbërriti në Kiev.

Pasi i ofroi, siç tha Putinit, “garanci konkrete për sigurinë” , gjithë çfarë shefi i Elizesë mori prej tij ishte “gatishmëria që të angazhohet në këtë drejtim dhe në dëshirën që të ketë stabilitet dhe integritet territorial në Ukrainë”.

Sipas Macron, ditët në vijim do të jenë kyçe për situatën e krijuar nga pozicionimi i ushtrisë ruse në afërsi të Ukrainës. Ai rrëfeu se ia bëri të qartë Putinit që krijimi i një arkitekture të re për sigurinë në Evropë, nuk duhet të bëhet duhet anuluar të drejtën e shteteve për t’iu bashkuar NATO-s.

Presidenca franceze pohoi se propozimet e diskutuara përfshijnë një zotim nga Rusia dhe Perëndimi për të mos ndërmarrë veprime të reja ushtarake, për nisjen e një dialogut të ri strategjik dhe përpjekje për të ringjallur procesin e paqes në lindje të Ukrainës.

Kreu i shtetit nuk ka dalë me një premtim të tillë, megjithatë është shprehur se  Moska “do të bëjë gjithçka për të gjetur kompromise që i përshtaten secilit”, duke shtuar se propozimet e bëra nga Macron mund të krijojnë një bazë për të ecur përpara në krizën rreth Ukrainës.

Në Kiev, ministri i Jashtëm, Dmytro Kuleba deklaroi se ndonëse Ukraina mezi i pret takimet me Macronin rreth propozimeve për Putinin, ajo nuk mund të detyrohet të tejkalojë linjat e kuqe.

Top Channel