Për herë të parë në historinë e saj në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese, brenda 30 ditëve do të dalë me një vendim pro ose kundër shkarkimit të Ilir Metës, si President i Republikës së Shqipërisë.

“Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda 30 ditëve nga marrja e vendimit”, tha kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, pasi dëgjoi konkluzionet e të dyja palëve.

Seanca e 7 shkurtit nisi në orën 10:00 dhe me polemika mes palëve dhe jo vetëm. Përfaqësuesi ligjor i Metës, Bledar Dervishaj, ka debatuar me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese mbi mënyrën e kthimit të përgjigjeve drejtuar Presidentit.

Presidenti Meta edhe në këtë seancë nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua nga këshilltari i tij ligjor Bledar Dervishaj. Ndërkohë, nga Kuvendi në Kushtetuese u paraqiten kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka dhe kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla.

Në një deklaratë për mediat jashtë dyerve të gjykatës Taulant Balla tha se tashmë si Presidenti Ilir Meta, si partitë politike e kushdo tjetër duhet të presë në heshtje vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Vendimet për rrëzime apo pranime i merr vetëm Gjykata Kushtetuese. Ne kemi detyrimin që nga ky monument, që është mbyllur procesi, të respektojmë pavarësinë e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese. Mendoj se nga momenti i përfundimit të procesit, të gjithë ne kemi detyrimin, përfshirë Presidentin, partitë e kushdo tjetër, të ruajmë heshtjen institucionale, derisa Gjykata Kushtetuese, brenda afatit 30-ditor, të shprehet, me gjithë arsyetimin. Procesi ka qenë për t’u përshëndetur. Mendoj se çdo deklaratë e imja apo e palëve të tjera të përfshira në proces nuk do i bënte mirë procesit”, tha Balla.

Ndërsa menjëherë pas tij, Bledar Dervishaj u tha gazetarëve se Presidenti, Ilir Meta do t’i drejtohet prokurorisë, për çështjen e manipulimit të provave nga ana e Kuvendit të Shqipërisë.

“Sot u mbyll seanca e iniciuar në mënyre të padrejtë nga Kuvendi. Për fat të keq u provua dhe sot se Kuvendi në përmbushje të qëllimeve politike, depozitoi prova të manipuluar vetëm që të rrëzoheshin pretendimet e kreut të shtetit. Kur kjo ndodh nga Kuvendi i Shqipërisë, imagjino çfarë mund të mendojmë ne si qytetarë se çfarë ndodh në organe të tjera.

Presidenti ka vendosur ti drejtohet Prokurorisë lidhur me këtë çështje. Ashtu sikundër Është në të drejtën e Kuvendit që të fillojë një procedure hetimore parlamentare për këtë fakt që ne evidentuam. Edhe e drejta e gjykatës të marrë një vendim por që të jetë i bazuar në kushtetutë dhe ligj.”, tha Dervishaj.

E megjithatë mazhoranca është e bindur se Presidenti ka shkelur Kushtetutën, duke u bërë pjesë e zgjedhjeve të 25 prillit dhe, duke shkuar më tej: nxitja e dhunës.

Përfaqësuesit ligjor të Presidentit u mbrojtën duke kundërshtuar të gjithë procedurën që ishte ndjekur nga parlamenti i kaluar për ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Ata mendojnë se institucionit të Presidentit iu mohua e drejta për t’u dëgjuar në Parlament para se të merrej vendimi për ngritjen e komisionit hetimor dhe se ky komision i ngrit në shkelje të afateve ligjore.

Përfaqësuesit e kreut të shtetit, duke iu referuar Kushtetutës, nënvizuan se Kuvendi nuk mund të kryejë asnjë hetim parlamentar në katër muajt e fundit të mbarimit të mandatit.

Presidenca e nisi mbrojtjen duke kërkuar përjashtimin e të gjithë trupës gjykuese me pretendimin se ishin në konflikt interesi dhe kushte papajtueshmërie për të vendosur në lidhje me këtë çështje. Një kërkesë e tillë u rrëzua si e pabazuar nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Në qershor të vitit të kaluar, Kuvendi i Shqipërisë, votoi pro shkarkimit të Presidentit Meta. Mazhoranca socialiste e fajësoi atë për deklarata publike para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare 2021, të zhvilluara më 25 prill, të cilat kanë nxitur dhunë dhe kanë shkelur Kushtetutën.

Votimi u bazua në gjetjet e raportit të hartuar nga një komision hetimor me pjesëmarrjen edhe të opozitës, të ngritur enkas për të hetuar qëndrimin e tij para dhe gjatë fushatës elektorale, të zgjedhjeve parlamentare 2021.

Sipas raportit, presidenti Meta ka shkelur më shumë se 10 nene të Kushtetutës gjë që, sipas mazhorancës socialiste, ka sjellë mosgarantimin e unitetit kombëtar duke mbajtur anën e opozitës para zgjedhjeve të 25 prillit dhe nxitur destabilitet dhe dhunë.

Vetë Presidenti Meta e ka konsideruar të paligjshëm komisionin hetimor, nuk ka pranuar akuzat e mazhorancës socialiste, e ka quajtur antikushtetues vendimin e parlamentit për shkarkimin e tij dhe “të orkestruar nga PS për hakmarrje politike.”

Gjykata Kushtetuese e cila pritet të vendosi për fatin e Presidentit nuk është e plotë, pas mosfunksionimit të saj për rreth dy vjet për shkak të dorëheqjeve të kryetarit dhe një pjesë të mirë të anëtarëve apo nxjerrjes jashtë sistemit të drejtësisë nga vettingu, Gjykata Kushtetuese aktualisht ka 7 nga 9 anëtarë që parashikon Kushtetuta.

Marrëdhënia e vështirë e presidentit Meta me PS

Ilir Meta u zgjodh Presidenti i 7-të i Republikës në fundprillin e vitit 2017 me 87 vota të mazhorancës socialiste, pasi opozita kishte braktisur parlamentin.

Por marrëdhënia e Ilir Metës, president me mazhorancën socialiste ka qenë e vështirë, e karakterizuar me kundërshti nga ana e tij të programit të PS, mosdekretim ligjesh dhe bllokim emërimesh të ministrave të propozuar nga kryeministri Rama, të cilin ai e akuzon për përqendrimin e të gjitha pushteteve në duart e tij.

Meta dekretoi, brenda afatit kushtetues, Edi Ramën si kryeministër të Shqipërisë, pas mandatit të tretë qeverisës që mori PS me fitoren e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021.

Zhvillimet hap pas hapi. 

Dervishaj kërkon laptop në seancë: Për të shfaqur faktet

Bushka: Duam të kuptojmë se për çfarë është kjo kërkesë, ka të bëjë me  përgjigjet e pyetjeve, apo diçka tjetër.

Tusha: Mund t’ju vëmë në dispozicion laptopin e gjykatës në funksion të procesit.

Dervishaj: Kam marrë laptopin e punës dhe do më ndihmonte për të shpjeguar, kam sjell prova dhe fakte të reja.

Dervishaj: I kemi materialet edhe në flash dhe do përdorim laptopin e gjykatës që është i certifikuar.

Dervishaj: Jemi në seancën e tretë të kësaj çështje. Presidenca parashtroi përgjigjet e saj. Edhe Kuvendi i dorëzoi me shkrim. Nuk u përgjigj brenda 2 orësh. Se ishte në pamundësi. Përgjigjet ne i kemi hartuar me shkrim. I depozitoj para gjykatës përgjigjet me shkrim të presidentit. Duke u ndalur tek disa prova të reja që kanë ardhur nga Kuvendi dhe presidenti. Dua të anatemoj vërtësinë e provës nga Kuvendi, ka ardhur të premten me urgjencë, ndërkohë që punonim mbi pyetjet. Bëhet për të hedhur poshtë pretendimet e presidentit. Kjo është urgjenca, ne e kuptojmë. Por kuvendi s’mund të ndërhyjë të prova, te vërtetësia e saj.

Me datë 4 shkurt Gjykata na dërgoi një shkrese të Kuvendit. Që prej datës 1 korrik I jemi referuar nr të kryetarit 06.05.2021 dhe jo 05.05.2021 sic e përcjell Kuvendi. Është në format me nënshkrimin e kryetarit.

Nuk mund të caktohej data 7 për mbledhjen e Kuvendit, sepse raporti nuk ishte formësuar.

Nëse do të krahasojmë pikën 20 të urdhrit të kryetarit, me pikën 20 të rendit të ditës, edhe titulli ndryshon.

Kjo vë në dyshim të fortë vërtetësinë e provave të sjellë. Gabimi më trashanik është urgjenca sesi është sjellë kjo provë e Kuvendit, e cila nuk është  e vërtetë, por ka si qëllim të hedhë poshtë atë çka pretendon presidenti.

Ndërhyrja e presidentit në zgjedhje.  Presidenti ka komunikuar me letër me Komisionerin shtetëror, ku kërkonte që i gjithë kabineti i presidentit të marrë pjesë në vëzhgimin e zgjedhjeve. Celibashi i bëri me dije të presidentit që se bashku me kabinetin e tij mund të merrte pjesë në vëzhgimin e zgjedhjeve. Prandaj ndërhyrja e presidentit në vëzhgimin e ligjeve ishte legjitime.

Vitore Tusha: Kuvendi na vuri në dispozicion përgjigjet e pyetjeve

Ndërkohë në gjykatë përfaqësuesit e presidentit shfaqën 3 video, të cilat janë pjesë të deklaratave të kryeministrit Rama kur fliste mbi çështjen e patronazhistëve.

“Patronazhistëve tu merrni te keqen, ju njohin kush jeni dhe do vijmë pas jush dhe me 25 prill do na njihni kush jemi”, ishte një pjesë e transmetuar nga fjala e Ramës.

Sipas Dervishaj këto janë  prova të sulmeve të kryeministrit ndaj presidentit, skandali i patronazhistëve dhe njëhsimi i presidentit si pjesëmarrës në zgjedhje.

Vitore Tusha- Dervishajt: Ne ju kemi ftuar të na jepni përgjigje. Ne kemi dëgjuar deri tani vetëm për analizën e disa provave.

Dervishaj- Ne përgjigjen e kemi dorëzuar me shkrim.

Tusha- Gjykimi është me gojë, duam ta dëgjojmë.

Dervishaj- I kemi dërguar me shkrim gjykata të marrë kohën e nevojshme t’i shqyrtojë kjo është kërkesa ime.

Tusha- Ju zgjidhni të mos lexoni? Atëherë kush do ta marrë rolin e leximit në sallë?

Dervishaj- Ne s’kemi qëllim që të bllokojmë. Erdhëm morëm 72 pyetje kërkuam 48 orë për hartimin e tyre me shkrim dhe erdhëm dhe i depozituam siç bëri Kuvendi. Zgjodhëm këtë rrugë, jemi përgjigjur me shkrim.

Tusha- Ju mendoni se kjo etapë është e ezauruar? Dua ta fiksojmë në procesverbal.

Dervishaj- Zonja kryetare dua ta fiksoni në procesverbal, që ne i kemi depozituar, gjykata duhet t’i shqyrtojë përgjigjet bashkë me provat.

Bushka: Ne s’kemi asgjë zonja kryetare, pasi të bëhen sqarimet në lidhje me provat ne do kërkojmë t’i jepet fund dhe të kalojmë me përfundimet.

Bushka: Nuk është në rolin e Presidentit të sillet si përfaqësues i partive politike dhe të dalë nga roli kushtetues. Provat e presidentit nuk thonë asgjë.

Këshilltari i Metës, Bledar Dervishaj

Dervishaj: Presidenti ka luajtur rolin mbi partitë, për të ruajtur qetësinë dhe balancat politike

Dervishaj- Në vitin 2019, Kryetari njofton formalisht presidentit ku ai ka të drejtën për t’u dëgjuar para komisionit të ligjit. Në vitin 2021, ky standard është shkulur dhe Kuvendi e ka pranuar vetë këtë fakt. I njëjti komision, I njëjti kryetar, e njëjta relatore, por standarde të ndryshme.

Presidenti ka luajtur rolin mbi partitë pasi vendi u fut në situatë të jashtëzakonshme si pasojë e covidit. Presidenti për të ruajtur qetësinë dhe balancat politike, hartoi një platformë bashkëpunimi që ua ofroj palëve për të kapërcyer krizat politike.

Përveç presidentit, asnjë palë tjetër nuk mori përsipër që ta ndiqte si platformë. Ai ka ndjekur ligjet kushtetuese ku presidenti ka si qëllim ruajtjen e balancave dhe të qetësisë politike.

Presidenca: Meta u thirr në Komision Hetimor me urdhër! Kuvendi: Presidenti refuzoi, na quajti legjitim

Ndërkohë Mimoza Arbi, Drejtoreshë e shërbimit juridik, u shpreh, mbi atë se ka dy standarde midis 2019 dhe asaj 2021.

Arbi: Nuk ka asnjë standard të dyfishtë, edhe në vitin 2021 e kanë vënë në dije presidentin për të drejtën për të folur dhe për t’u dëgjuar. Është ftesa ku presidenti, është ftuar për të marrë pjesë në seancën dëgjimore dhe kemi edhe përgjigjet e presidentin me përgjigjet e tij si : “ nuk ju njoh”, “merruni me çështje të tjera” etj. Për videot e kryeministrit Rama. Rama është subjekt politik dhe në zgjedhje përdor deklaratat që ai konsideron të arsyeshme. Nuk është në rolin e presidentit të sillet si përfaqësues politik dhe të dalë nga roli i tij kushtetues. Prandaj, pretendimet e presidentit nuk mund të quhen të sakta. Raportimet e datës 4 apo 5, janë ngatërresë e qëllimshme dhe nuk janë të paraqitura ashtu si i paraqiti përfaqësuesi i presidentit. Ato janë çështje administrate të Kuvendit. Pas mbarimit të fjalës, kërkoj që të fillojë gjykimi.

Bushka: Kemi pasur standarde të njëjta si në 2019 si në 2021. Herën e parë ishit të gatshëm të merrnit pjesë në proces, herën e dytë refuzuat dhe nuk pranuat të njihnit procesin duke e cilësuar kuvendin ilegjitim.

‘Duam kohë’/ Tusha: Një orë pushim që të përgatitet përfaqësuesi i presidentit

Tusha– Të gjithë provat janë shqyrtuar dhe administruar nëse ka prova të tjera mund të na i  vini në dispozicion.

Tusha- Ne kalojmë në hapin tjetër që lidhet me diskutimet përfundimtare të palëve në proces, keni nevoje për kohe apo jeni përgatitur?

Dervishaj- Ndoshta 1 orë kohë

Tusha- Gjykata tërhiqet për pushim një orësh për tu dhënë mundësi palëve të përgatisin për diskutim përfundimtar, seanca nis në ora 12.

Ora 12:02: Rinis gjyqi i Metës/ Bushka: Gjykata të deklarojë shkarkimin e Presidentit

Rinis seanca për shkarkimin e presidentit Ilir Meta për parashtrimet përfundimtare.

Bushka: I kërkojmë gjykatës të deklarojë shkarkimin e zotit Ilir Meta. Ky është proces që vendos një precedent që asnjë zyrtar i lartë të mos sillet me papërgjegjshmëri. Presidenti i Republikës e ka shkelur rëndë kushtetutën ndaj duhet të shkarkohet! Presidenti ka dal nga roli i tij kushtetues për të qënë përfaqësues i unitetit të popullit dhe është sjellë si opozita e mazhorancës duke marr rolin e një kryetari partie. Ka bërë thirrje që qytetarët të mos votojnë mazhorancën duke marrë rolin e një përfaqësuesi politik.

Presidenti ka shkelur nenin 82 të kushtetutës duke tejkaluar kompetencat e tij. Ka shkelur parimin e kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë.Ka sulmuar gjyqtarët duke ndërhyrë në autonominë vendore duke ndërhyrë në kompetencat e KQZ dhe kemi dhe shkelje të kodit zgjedhor dhe policisë së shtetit.

Presidenti ka përdorur retorike dhune, dhe e ka treguar atë si mjet për zgjidhje. Sjelljet e presidentit kanë promuar dhunë dhe ndasi sociale , ato pasqyrojnë përçarje, urrejtje , sjellje që bien ndesh me figurën e presidentit. Sjelljet e tij jo vetëm nuk kanë ndihmuar në qetësimin e situatave por përkundrazi, i kanë përshkallëzuar ato dhe kanë sjellë ndikim akoma më negativ.

Përfaqësuesi i presidenti nuk dha asnjë përgjigje se cilat do të ishin pretendimet shtesë nëse do të kishin paraqitur, kjo e gjitha bëhet që të shmangen shkeljet kushtetuese që Presidenti ka bërë.  

Kuvendi nuk ka luftë me presidentin por po ushtron detyrën e tij kushtetuese. Presidenca s’dha shpjegim për sjelljet e  presidentit.

Sjelljet dhe veprimet e presidentit janë të tilla që janë shkelje të rënda të kushtetutës, janë të tilla që diskreditojnë figurën e zyrtarit të lartë, sjellje të kësaj natyre, vetë gjykata i ka konsideruar si të tilla për mos vazhdimin më të mandatit të zyrtarit të lartë.

Ky duhet të jetë një proces për vendosje standardesh, që jep një goditje kushtetuese dhe ligjore.

Presidenti duhet të shkarkohet sepse ka shkelur rëndë kushtetutën, që në të ardhmen precedentë si ky rast të mos lindin më ! Prandaj gjykata të deklarojë shkarkimin e tij!

Parashtrimet e përfaqësuesit të presidentit, Dervishaj: Procesi nisi dhe përfundoi i diktuar politikisht dhe në mungesë të lëndës për të iniciuar proces shkarkimi . Presidenti nuk ka kryer asnjë shkelje dhe aq më pak Kushtetutën.Pamë gjatë procesit gjyqësor që shkeljet e kuvendit kanë qenë të vazhdueshëm dhe të përsëritura, i gjithë rezultat qe nul.

Kjo procedurë nisi nga legjislatura e 9 dhe vijoi deri më 4 shkurt sa shkoi deri aty sa u tentua të manipuloheshin me procedurë pretendimet e presidentit të Republikës.

Presidenti s’ka tentuar të marrë asnjëherë kompetencë të qeverisë apo të kuvendit, e kundërta ka ndodhur. Presidenti s’ka tentuar të marrë asnjëherë kompetencë të qeverisë apo të kuvendit, e kundërta ka ndodhur.

I kërkojmë gjykatës të vendosë shfuqizimin e  vendimit të kuvendit  për shkarkimin e presidentit. Kuvendi nuk ka kompetenca të ndërhyjë se si Presidenti duhet t’i ushtrojë kompetencat e tij.

Ora 13: 05. Gjykata Kushtetuese mbyll seancën, tërhiqet për vendim.

 

FOTO GALERI
1/13

Top Channel