“Pas mandatit 9-vjeçar të emërohen pa konkurrim në prokurorinë e Apelit”, propozimi i Bashës për prokurorët e SPAK

28/04/2024 19:34

Lulzim Basha nuk i ka votat e duhura për të propozuar ndryshime kushtetuese përmes të cilave do t’u plotësohej dëshira prokurorëve të SPAK që këmbëngulin ripërsëritje të mandatit.

Ndaj, në sugjerimet e grupit parlamentar të PD, Basha ka kërkuar ndryshime në ligj disi larg ambicies së SPAK duke kërkuar që në përfundim të mandatit të tyre nëntë vjeçar, prokurorët e SPAK të emërohet pa konkurrim në prokurorinë e përgjithshme dhe në prokurorinë e apelit.

Në kërkesën e dorëzuar në 25 prill, Lulzim Basha propozon që ata të trajtohen në mënyrë të privilegjuar me të njëjtën pagë që paguhen aktualisht dhe me kërkesë të tyre të emërohen edhe kryeprokurorë rrethesh.

Por nuk është kjo pjesa e luanit që kërkojnë prokurorët e SPAK , që nga dhjetori 2019 që ka hyrë në vitin e pestë të funksionimit

“Pse gjyqtarët dhe ne jo”, u shpreh Dumani në 4 prill.

Shqetësimin për të siguruar të ardhmen e prokurorit të posaçëm, e shtroi para anëtarëve të KLP-së, kryeprokurori i SPAK, Altin Dumani. Megjithatë, asnjëri nga prokurorët që konkurroi për të marrë detyrën e prokurorit të posaçëm, gjatë garës, nuk e shtroi një pretendim të tillë, por iu bind asaj që thoshte ligji.

Propozimi tjetër që sugjeron ndryshime ligjore lidhet me shqetësimin që Altin Dumani raportoi para KLP jo vetëm për letërporositë, por edhe për njohjen e vendimeve penale të huaja nga gjykatat e rretheve, ndonëse bëhet fjalë për shtetas të dënuar jashtë vendit për grupe kriminale. Sikurse ka ndodhur kërkesa për ekstradimin e dy anëtarëve të një grupi kriminal të Call Center-ave, të kërkuar nga Spanja u shqyrtua nga gjykatat e zakonshme duke lënë jashtë gjykatën antikorrupsion dhe SPAK që po kryente hetime.

Top Channel