Besimi i bizneseve dhe qytetarëve në ekonomi është ulur, duke i bërë ata më pesimistë për të shpenzuar.

Këtë e tregojnë të dhënat e Bankës së Shqipërisë sipas të cilës treguesi i ndjesisë ekonomike shënoi rënie me 1.7 pikë gjatë janarit, duke reflektuar edhe shqetësimin në rritje si rrjedhojë e shtrenjtimit të çmimeve.

Ecuria jo e mirë e sipërmarrjeve dhe ulja e kërkesës kanë bërë që sektori i shërbimeve të shënojë uljen më të madhe të besimit muajin e kaluar, teksa ndjeshëm është ulur edhe ai i sektorit të industrisë, ku mbështetet edhe pjesa më e madhe e eksporteve shqiptare.

Kjo humbje e besimit në sipërmarrjet që operojnë në këtë degë të ekonomisë lidhet me rënie e prodhimit dhe kontratave porositëse, por pritjet e tyre për të ardhmen janë më optimiste në drejtim të prodhimit si dhe ecurisë më të mirë të punësimit.

E kundërta ka ndodhur me ndërtimin, pasi besimi i kompanive që ushtrojnë aktivitetin në këtë sektor iu rikthye përmirësimit në janar, zhvillim ky i mbështetur nga përmirësimi i aktivitetit ndërtues në vend por edhe prej ecurisë më të mirë të kontratave porositëse.

Pas rritjes për tre muaj radhazi të pritshmërie të tyre për shtrenjtim të mëtejshëm të çmimeve të apartamenteve, në anketën e fundit parashikimet e tyre për një rritje të mundshme të çmimeve kanë regjistruar rënie.

Ndërkohë, pamundësia e qytetarëve për të përballuar rritjet e kostove të jetesës për shkak të rritjes së çmimeve të mallrave e shërbimeve ka bërë që besimi i tyre në ekonomi të shënojë rënie këtë fillim vit sipas anketës së Bankës së Shqipërisë.

Kjo reflektohet në vlerësimin negativ dhe stepjen e konsumatorëve për të bërë blerje të mëdha si blerja e një banese, por edhe nga pritshmëritë më pesimiste të situatës së tyre financiare në të ardhmen.

Top Channel