Noterja Rezarta Koçi ka dalë sot para Gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.Ajo u arrestua një ditë më parë, pasi akuzohet për mashtrim, vjedhje dhe shpërdorim detyre.
Pre e mashtrimeve të noteres 40-vjeçare ishin pronarët e pasurive të paluajtshme apo të hoteleve, ndërsa përmes mashtrimit kishte arritur të përvetësonte 2 mln euro, që më pas i kalonte në llogarinë personale.
Kujtojmë se, dy muaj më parë noteres iu vendos tritol në automjetin në pronësi të saj. Ngjarja ndodhi në një ndër lagjet më të frekuentuara të kryeqytetit “Komuna e Parisit”, nga personave ende të paidentifikuar.
Njoftimi i policisë një ditë më parë:
“Vihet në pranga një 40-vjeçare me detyrë notere, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në kuadër të një pune policore dhe procedurale të pandërprerë disamujore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Noterja”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetases:
– R. K., 40 vjeçe, me detyrë notere, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se kjo shtetase, gjatë ushtrimit të detyrës si notere, në vitin 2021, duke shpërdoruar detyrën, ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme shuma të konsiderueshme monetare nga qytetarë të ndryshëm”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkaq, policia vijon punën për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Top Channel