Sejko: Inflacioni do të jetë mbi 3% këtë vit, objektivi për ulje i paarritshëm në 2022-n

02/02/2022 17:56

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko të mërkurën deklaroi se inflacioni në vend shënoi një rritje të shpejtë në tre mujorin e katërt, duke arritur në 3.7% në muajin dhjetor.

Sejko tha se ndryshe nga sa ishte parashikuar inflacioni do të kthehet në objektiv prej 3% vetëm në vitin 2023 dhe jo këtë vit. Edhe gjatë vitit 2021, inflacioni ishte në numra të lartë, por kjo u ndikua nga shtrenjtimi i çmimeve dhe i naftës.

Inflacioni gjendet në çmimet e gjithë artikujve të shportës së konsumit. Përshpejtimi i tij u diktua nga rritja e ushqimeve të përpunuara dhe çmimeve të naftës. Inflacioni pritet të kthehet në objektiv në mënyrë të qëndrueshme gjatë 2023 në pasqyrim të balancimit të kërkesës e ofertës e rritjes së punësimit e pagave në linjë me produktivitetin”, tha Sejko.

Ai theksoi se rritja e fortë e çmimeve të ushqimeve, lëndëve energjetike, kostove të transportit, ka pasur një ndikim të konsiderueshëm të inflacionit në tre mujorin e katërt.

Sipas INSTAT, ekonomia shqiptare u rrit me 10.4% gjatë 3 tre mujorëve të parë të vitit, informacionet sinjalizojnë zgjerim të mëtejshëm të saj në tremujorin e katërt. Analizat tona tregojnë se aktiviteti ekonomik në vend ka kaluar nivelin e tij të para tërmetit dhe para pandemisë, duke ilustrusr rimëkëmbjen e shpejtë të kërkesës”, tha Guvernatori.

Sipas Sejkos, edhe me trajektore rritëse, hovi i rritjes ekonomike gjatë vitit 2022 do të jetë më i ngadalshëm se ai i vitit të kaluar.

Guvernatori deklaroi se Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë e la normën bazë të interesit të pandryshuar.

Ai tha se Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe vendosi për miratimin e vendimit “Për pezullimin e shpërndarjes së fitimit nga bankat”. Në bazë të këtij vendimi, pezullohet deri në fund të vitit 2022, shpërndarja nga ana e bankave, të fitimit të mbartur nga periudhat e mëparshme, dhe të fitimit të realizuar gjatë vitit 2021.

Kjo masë e autoritetit mbikëqyrës, synon të sigurojë mbështetje për bankat, kryesisht nëpërmjet rritjes së aftësisë së tyre për të përthithur humbjet e mundshme potenciale dhe për të mbështetur kredidhënien për klientët individë dhe biznese gjatë kësaj periudhe.

Sejko pohoi se pavarësisht se ekonomia po pëson rritje, probleme po hasen në punësim.

Në nivel global, rimëkëmbja e ekonomive nga goditja e pandemisë është e fortë, por e pabarabartë midis vendeve. Po ashtu, ajo vazhdon të karakterizohet nga probleme në zinxhirët e furnizimit dhe mungesa në fuqinë punëtore. Kërkesa e fortë për mallra e shërbime, kufizimet në ofertë dhe çmimet e larta të energjisë elektrike kanë shtyrë lart inflacionin global. Në këtë kontekst, perspektiva e politikës monetare globale është drejt normalizimit, çka është reflektuar edhe në sjelljen e tregjeve financiare ndërkombëtare”, shtoi ai.

Sa i takon situatës ekonomike, Guvernatori tha se rritja do të vazhdojë edhe për vitet në vijim.

Ekonomia shqiptare parashikohet të ndjekë një trajektore rritëse gjatë viteve në vijim. Rritja e aktivitetit pritet të mbështetet si nga kërkesa e brendshme dhe nga ajo e huaj, duke pasqyruar kushtet e favorshme të financimit, përmirësimin e besimit dhe të bilanceve të sektorit privat, si dhe rritjen e kërkesës në ekonomitë partnere. Përkundrejt niveleve të larta të vitit 2021, normat e rritjes ekonomike pritet të vijnë në reduktim gjatë vitit 2022 e në vazhdim”, tha Sejko.

Ai përsëriti edhe një herë apelin për të ulur borxhin publik, pasi do të rriste qëndrueshmërinë fiskale.

Top Channel