Një nga nismat e ndërmarra nga qeveria është “Këshillimi kombëtar”, një pyetësor me 12 pyetje që i shkon çdo familje në shtëpi për tu plotësuar. Robert Aliaj dhe profesori Ardian Isufi kanë folur për këtë nismë në “Top Talk” duke treguar arsyen përse kryeministri Edi Rama i drejtohet shqiptarëve për disa çështje të caktuara.

Isufi tha se ky projekt i qeverisë është i nxituar, por skematik për modelin dhe përmbajtjen e tij.

Ardian Isufi: Mendoj që jemi në një situatë ku ka shumë keqkuptime sa i përket aksionit politik, padyshim të keqkuptimit të opozitës dhe pozitës për arsye se pse kjo qeverisje, duke parë që në kampin opozitar ka një çorganizim të jashtëzakonshëm që ne e kemi si një lloj lajtmotivi për të kuptuar gjendjen që ndodhet opozita, kjo qeverisje duke pasur shumë më të lehtë sfidat reale që duhet të kishte përballë shoqërisë, politikës e një opozite kompetitive. Futja e këtij projekti të këshillimit me qytetarët është i nxituar dhe një projekt i cili është shumë skenografik ose skematik.

Nuk e kam skematik që nuk është i mirëmenduar, por skematik për modelin dhe përmbajtjen e tij. Së pari, shumë nga ato pika i takojnë institucioneve me analiza shumë më të thellë institucionale që bëhet me grup ekspertësh, nga grupe interesi dhe për të ardhur pastaj tek këshillimi. 

Pyetja e parë në “Këshillimin Kombëtar” ka të bëjë për nënat që rrisin tre ose më shumë fëmijë të mitur, nëse duhet apo jo të përfitojnë mbrojtje të veçantë sociale nga shteti. Alternativat që duhet të zgjedhin qytetarët janë: “Shteti shqiptar duhet të sigurojë mbrojtje të veçantë sociale për nënat me tre apo më shumë fëmijë të mitur, të punësuara apo jo”; “Nuk duhet dhënë mbrojtje e diferencuar social as për nënat me tre apo më shumë fëmijë të mitur, të punësuara apo jo” dhe “Nuk di të gjykoj mbi këtë çështje”.

Këtë pyetje e ka komentuar Robert Aliaj në “Top Talk”, duke thënë: “Kryeministri tenton të kursejë qindarka, me ndonjërin që e ha këtë të dytën. Versioni që mund të kesh dhe 10 fëmijë e të marrësh asistencë të barabartë me atë që ka një fëmijë. Këtu jemi në limitet e abuzimit se nuk jemi as demokraci direkte, as institucionale se të pyesësh publikun për t’ia lënë pastaj kopilin tek dera, ju e deshët, është e rrezikshme shumë dhe nuk e di arsyen. Ose të aplikosh demokraci direkte ku mund të aplikohet referendumi.”

Top Channel