Agim Hila një banor i fshatit Vajkan në qytetin e Fierit ka kërkuar ndihmën e emisionit Fiks Fare, pasi prej 2 vitesh në ambientet e shtëpisë së tij i janë rrëzuar dy shtylla tensioni.

Agimi thotë se nuk ka gjetur zgjidhje në asnjë institucion dhe e mbajnë me gënjeshtra. Para disa kohësh punonjësit e OSHEE-së kanë qenë në vendngjarje dhe për të stabilizuar gjendjen e shtyllave të rëna duke i lidhur pas një shtylle tjetër me një litar të hollë. Agimi thotë se jeta e tij dhe e familjarëve të tjerë është në rrezik, pasi telat e korentit janë në tokë dhe pak muaj më parë në ambientet e shtëpisë së tij ka rënë një zjarr, ku i dogji të gjithë prodhimtarinë e ullishteve.

Gazetarët bashkë me denoncuesin u interesuan në njësinë administrative ku administratori thotë se nuk kishte dijeni për shtyllat e rëna dhe se sa herë Agimi ka patur shqetësime ai ka lajmëruar teknikët e OSHEE-së për të marrë masa. Ai pohon se është në dijeni të një linje të rënë, por që është vendosur nga ana e punonjësve provizorisht. Pas një kontakti të gazetarëve me kryeinxhinierin e OSHEE-së për qarkun e Fierit, ky i fundit u shpreh se janë në dijeni të situatës, por kanë pritur një projekt, që të nxjerrin shtyllat jashtë ambientit të tokave të zotërisë. Projekti është miratuar, por po zvarritet për çështje fondi.

“Kemi marrë masa provizore, kemi drejtuar shtyllën me këtë litarin. Brenda 10 ditësh do të rregullohet sipas kushteve teknike dhe nuk do të ketë më problem. Nuk është punuar deri më tani sepse kemi pritur të miratohet projekti për të gjithë zonën. Projekti tani është miratuar dhe shumë shpejt do të rregullohet” përfundon kryeinxhinieri i OSHEE-së.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel