Borxhi publik në fund të vitit 2021 vlerësohet të jetë në nivele rekord në 80.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Shifra është publikuar nga vetë Ministria e Financave në Kuadrin Makroekonomik 2023-2025, teksa ende nuk janë bwrw publike të dhënat përfundimtare nga ky dikaster për tremujorin e fundit të vitit 2021 pas mbi treguesit e borxhit publik të vendit.

Sipas draftit të qeverisë, niveli i borxhit pritet të arrijë në mbi 1.34 trilionë lekë, gati 124 miliardë lekë më shumë se në vitin e pandemisë 2020, ku ky tregues u rrit ndjeshëm në 77.8%, për të vijuar më pas zgjerimin edhe më tej për shkak edhe të emetimit të eurobondit prej 650 milionë euro në fund të vitit që lamë pas.

Mbajtja nën kontroll e borxhit publik pavarësisht dy goditjeve që mori ekonomia nga tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia Covid që vunë në vështirësi buxhetin e shteti ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e institucioneve ndërkombëtare si Banka Botërore e Fondi monetar Ndërkombëtar, pasi zgjerimi i tij sipas tyre përbën rrezik për ekonominë dhe do të detyronte qeverinë të kufizonte shpenzimet për investime.

Me gjithë rekomandimet, qeveria një vit më parë përmes një akti normativ thyen rregullin fiskal duke rritur nivelin e deficitit buxhetor në 120 miliardë lekë, e si rrjedhojë borxhin publik me argumentin se një ndërhyrje e tillë ishte e nevojshme në kushte urgjence dhe nevojë në kuadër të pandemisë.

Përmes këtij ndryshimi, Ministria e Financave shkel Ligjin e Menaxhimit Buxhetor që parashikon ulje të përvitshme të nivelit të borxhit deri sa të arrijë në kufirin 45% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke shtyrë kështu në kohë konsolidimin e financave publike.
Këtë vit, qeveria është zotuar se trajektorja e borxhit publik do t’i kthehet rënies dhe presin që të ulet deri në fund të vitit në nivelin e 78.9%.

Top Channel