Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së enjtes degradimin e një prej stadiumeve elitë në Shqipëri, ku luante ndeshjet ekipi “Besa” i Kavajës.

Stadiumi, me të njëjtin emër, është shkatërruar plotësisht, duke filluar nga fusha, tribunat dhe ambientet e brendshme. Gjithçka është degraduar, ku të vetmit që frymojnë janë dhjetëra dele dhe dhi që kullosin në fushë dhe në tribunat, të cilat i kanë zënë ferrat.

Dikur, në këtë impiant, luanin futboll emra të mëdhenj të futbollit kavajas, duke filluar nga Merhori, Pagria, Duro, Rraklli, Rrica, Cikalleshi, Bubeqi, Lila, e shumë e shumë të tjerë, nga rrethe të tjera, si Shehu, Shkëmbi, etj., apo edhe futbollistë nga trevat shqiptare Muriqi, Berisha, Fejzullai etj. Madje, kanë luajtur edhe futbollistë të huaj, ndërsa disa prej emrave të përmendur më sipër kanë fituar dy Kupa Shqipërie dhe kanë dalë disa herë nënkampion të Shqipërisë.

Për vite me radhë, Besa e Kavajës ka qenë skuadër elitë, ndërsa ka marrë pjesë edhe në kupat e Evropës. Por, periudha e “artë” ka qenë në vitet 2005-2010, ku fitoi të dyja Kupat e Shqipërisë, ndërsa stadiumi i qytetit i është nënshtruar rikonstruksionit, madje i është vendosur edhe impiant ndriçimi. Por, vitet e fundit stadiumi është kthyer në kullota për bagëti, teksa aktualisht të vetmit që frymojnë brenda stadiumit janë dhjetëra dele dhe dhi të banorëve kavajas.

Stadiumi “Besa”, me një kapacitet 8 mijë vendesh është ndërtuar në vitet ’70, ndërsa është rikonstruktuar disa herë, por sot gjendja është e mjerueshme, teksa tribunat janë mbuluar nga ferra. Prej kohësh, në këtë impiant nuk ka asnjë gjurmë futbolli, pasi skuadra e Besës i luan ndeshjet në fshatin Luz dhe në Rrogozhinë. Fiks Fare bëri një vëzhgim edhe në ambientet e brendshme, ku dhomat e zhveshjes kanë degraduar. Është prishur suvaja, ka plasaritje, ndërsa të vetmet që janë shpëtuar janë disa nga fotografitë e skuadrës në momentet e lavdishme dhe historiku. Janë fotografi nga fillimi, para luftës së dytë botërore e deri në ditët e sotme.

Gazetarët e Fiks Fare konstatuan se në stadium jeton një person që i është prishur shtëpia nga tërmeti. Ai tregon se gjithçka është shkatërruar, dikur ka qenë një nga stadiumet elitë me ndriçim, por tani gjendja është e mjerueshme.
Pas vëzhgimit, gazetarët shkuan në Bashkinë e Kavajës, teksa biseduan me Shpend Barametën, drejtor Kabineti i Bashkisë Kavajë. Sipas tij, stadiumi është në pronësi të Bashkisë, e cila ka edhe 33 % të aksioneve. Ai tha se bashkia s’ka fonde ta rindërtojë, pasi duhen shumë para’ të bëhet në gjendje optimale. Sipas tij, edhe këtë vit bashkia s’do ndërhyjë pasi ka prioritete të tjera si pastrimi. Ai tregon se skuadra luan në fshatin Luz të Kavajës dhe në Rrogozhinë, ndërsa pohon se Bashkia e Kavajës do të nxjerrë në ankand edhe pjesën e saj të aksioneve në këtë skuadër sipas edhe VKM-së. Sipas tij, prioritet i bashkisë është rindërtimi dhe fondet për stadiumit nuk janë. “Kemi kërkuar në FSHF dhe në qeveri për rikonstruksion, por deri më tani nuk na kanë kthyer asnjë përgjigje” thotë ai. Fiksi komunikoi nëpërmjet telefonit edhe me presidentin e skuadrës “Besa” të Kavajës, z.Nexhat Bizhdili, i cili nuk pranoi të jepte asnjë shpjegim apo informacion për gjendjen në të cilën ndodhet skuadra dhe stadiumin.

FOTO GALERI
2/9

Top Channel