Debati për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë vazhdon i ashpër në parlamentin e vendit e jashtë tij. Por ndërkohë duket se kjo rritje, nuk do të prekë veriun me shumicë serbe të Kosovës.
Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, ZRRE, Ymer Fejzullahu tha se këto katër komuna veriore nuk janë pasqyruar në raportin konsultativ për rritjen e tarifave të energjisë elektrike. Gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë, Fejzullahu ka theksuar se gjatë këtij viti ka hapur shqyrtimin e jashtëzakonshëm në bazë ligjore për caktimin e tarifave, për të reflektuar kostot e sistemeve.
Sipas tij, Kosova ka importuar energji elektrike me çmim tetë herë më të lartë, ndërsa gjatë muajit dhjetor 2021 është arritur piku maksimal i konsumit ditor të energjisë.
Zyrtari sakaq pohoi se me një letër të komandantit të KFOR-it në vitin 2009, Kosovës i është ndaluar që t’i shkëpusë nga rrjeti elektrik serbët në veri të vendit, edhe nëse ata nuk paguajnë për energjinë elektrike që shpenzojnë.
Duke e cilësuar këtë një problem politik, Fejzullahu tha se për energjinë e papaguar elektrike në veri, ky institucion është paditur nga Avokati i Popullit dhe si pasojë e kësaj çështjeje gjyqësore, çmimin e rrymës së papaguar në katër komunat veriore e paguan Qeveria e KOSTT-i.
Top Channel