Britania ka akuzuar Kremlinin se po kërkon që të vendosë një udhëheqës pro-rus në Ukrainë. Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe nëpërmjet një deklarate theksonte se kishte informacione se qeveria ruse po ndihmonte ish-deputetin ukrainas Yevhen Murayev të vendosej në krye të një qeverie pro-ruse.
Londra nuk dha asnjë provë lidhur me këtë çështje, por një burim i agjencisë së lajmeve ‘Reuters’ në Ministrinë e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar tha se “nuk ishte praktikë e zakonshme të ndaheshin informacionet e zbulimit dhe se detajet nuk do të ishin më sekrete, vetëm pas shqyrtimit të kujdesshëm, në mënyrë që të pengohej një agresion rus”.
Mbretëria e Bashkuar tha gjithashtu se kishte informacion se shërbimet ruse të zbulimit po mbanin lidhje me disa ish-politikanë ukrainas, përfshirë figura të larta të lidhura me ish-Presidentin Viktor Janukoviç, i cili u largua për në Rusi në 2014, pas tre muajsh protestash.
Ish-deputeti ukrainas Yevheniy Murayev, i cili sipas zbulimit britanik konsiderohet si njeriu i zgjedhur nga Moska për të udhëhequr qeverinë pro ruse në Ukrainë, reagoi duke thënë se “koha e politikanëve pro-perëndimorë dhe pro-rusë në Ukrainë ka përfunduar përgjithmonë”.
Ministria e Jashtme e Rusisë reagoi gjithashtu duke i hedhur poshtë pretentimet e autoriteteve britanike.
“Dezinformimi i përhapur nga Ministria e Jashtme britanike është më shumë dëshmi se janë vendet e NATO-s, të udhëhequr nga anglo-saksonët, ato që po përshkallëzojnë tensionet rreth Ukrainës”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
Komentet e zyrtarëve britanik vijnë në një kohë kur diplomatët e lartë amerikanë dhe rusë nuk kanë arritur një marrëveshje mbi krizën. Rusia ka grumbulluar më shumë se 100 mijë trupa në kufirin e saj me Ukrainën, por këmbëngul se nuk ka plane për ta sulmuar atë.
Rusia ka parashtruar disa kërkesa ndaj SHBA-së, përfshirë ndalimin e zgjerimit të NATO-s drejt lindjes dhe një zotim se Ukraina nuk do të lejohet kurrë të bashkohet me aleancën ushtarake perëndimore, gjë që Uashingtoni e ka cilësuar të papranueshme.
Presidenti Joe Biden e kaloi ditën e shtunë në vendpushimin presidencial, “Camp David”, me ekipin e tij të lartë të sigurisë kombëtare për të diskutuar mbi situatën në Ukrainë.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se diskutimet përfshinin përpjekje për të ulur tensionet përmes diplomacisë si dhe për të ndërmarrë masa parandaluese të koordinuara ngushtë me aleatët dhe partnerët, përfshirë ndihmë për Ukrainën lidhur me çështje të sigurisë./VOA
Top Channel