Për herë të parë, ata do të bëhen të gjithë bashkë! Çdo të diel, në orën 21.00, vjen “Ëndërrtjerrësit”.
Kujtime e të pathëna, pamje të pa transmetuara kurrë më parë dhe një ribashkim i atyre që e kanë bërë Top Channel ekranin e të gjithë shqiptarëve.
Personazhet më të dashur të ekranit, por edhe ata që qëndrojnë pas kamerave, do të rrëfehen për 20 vitet e televizionit më të madh në vend, që përmes lajmeve e programeve, ka folur për të gjithë, me gjuhën e së vërtetës dhe ngjyrat e argëtimit. Në 13 episode do të ndërmarrim bashkë një rrugëtim përmes imazheve dhe kujtimeve. Do të kthehemi pas në kohë.
Do shkojmë aty ku nisi, me ëndrrën e një njeriu që u bë dhe ëndrra e një grupi të rinjsh të pasionuar që asokohe se dinin se e kaluara e tyre do të bëhej realiteti dhe ardhmja e të gjithë shqiptarëve.
Janë ata ëndërrimtarët e dikurshëm që kthehen pas në kohë për t’u rrëfyer ashtu siç njeriu rrëfehet përpara pasqyrës. Do të shohin veten aty dhe përmes saj edhe televizionin ku punuan dhe u rritën.
Do të mësoni ngjarje dhe histori që kujtesa publike dhe ajo institucionale nuk i ruan dot sepse janë kujtimet e asaj që ndodhte pas çdo lajmi, pas çdo rrëzimi qeverie, pas çdo katastrofe, pas çdo loti dhimbjeje apo gëzimi.
Do të njohim të vërteta të pathëna më parë, ato të vërteta që e bënë televizionin Top Channel jo vetëm ekranin e të gjithë shqiptarëve por dhe udhërrëfyes në krijimin e një identiteti kombëtar…
Në episodin e parë do të zbuloni se cili është mëkati më i madh që mund të bënte dhe bëjë një gazetar në Top Channel. Për herë të parë gjithashtu do të shihni sesi kanë qenë Olta Gixhari dhe Marina Vjollca në daljen e tyre të parë në ekran, kur konkurronin si velina të “Fiks Fare”.
A do i njihni dot?!…Ju sigurojmë se në 13 episodet do të keni çdo herë diçka për të zbuluar e për të parë për herë të parë. Sepse motivi në Top Channel edhe pas 20 vitesh mbetet po i njëjtë “Lajmi më parë kalon nga ne”…
Top Channel