Pas përfundimit të dëshmisë së tij lidhur me ngjarjet e dhunshme të protestës së 8 janarit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka kërkuar “zbardhjen e plotë dhe vendosjen para drejtësisë të autorëve e organizatorëve të dhunës”.
Fillimisht, kryedemokrati mbërriti në Prokurorinë e Tiranës, pas numrit dy të selisë blu, Gazment Bardhi.
Duke iu kthyer ngjarjes, numri një i demokratëve, u shpreh se u shmang gjakderdhja pasi ishin të përgatitur për çdo skenar. Në fjalën e tij, Basha komentoi edhe thirrjen e Sali Berishës për të vijuar revolucionin të dielën në qytetin e Shkodrës.
Ai tha se strukturat e PD-së do jenë në terren për të takuar nga afër qytetarët dhe për të forcuar aleancën me ta.
Sipas tij, demokratët i kanë dhënë Sali Berishës përgjigjen e merituar dhe se thirrjet e tij janë në ndihmë të Edi Ramës dhe për të përçarë strukturat e PD-së
“Është e qartë që thirrjeve të zotit Berisha demokratët e vërtetë i kanë dhënë përgjigjen e merituar. Janë thirrje për të përçarë demokratët dhe për të ndihmuar Edi Ramën. Ne do jemi në terren pranë demokratëve dhe në proces përgatitje që të forcojmë aleancën me shqiptarët dhe të mundësojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, theksoi Basha.
Sipas Bashës, ish-kryeministri është i gatshëm të bëj gjithçka dhe ka qëllime të përbashkëta me Edi Ramën.
“Sali Berisha është i gatshëm të bëj gjithçka dhe në këtë qëllim është i bashkuar me Edi Ramën. Duan të ngrenë një bunker anti-amerikan, ata për ne janë e shkuara”, tha Basha.
Marrja në pyetje e Bashës dhe Bardhit vjen një ditë pasi Sali Berisha dhe Flamur Noka dhanë deklarimet e tyre për protestën e 8 janarit. Pas daljes nga Prokuroria, Berisha deklaroi dje se kishte informuar hetuesit mbi atë që ai e quan banda e Lulzim Bashës brenda në seli.
Sipas tij ka pasur njerëz të armatosur në godinë atë ditë dhe armët u larguan me makinën e kreut të Partisë Demokratike.
Ai akuzoi sërish Bashën si peng të Ramës, teksa paralajmëroi edhe një herë protesta të fuqishme. Ish-kryeministri nuk specifikoi datë për protestën e radhës, por ndërkohë deklaroi rikthimin e takimeve me qytetarët që do të nisin të dielën nga Shkodra.
Top Channel