Fiks Fare/ Drejtësia shqiptare nuk “njeh” Kushtetuesen Italiane, pas interesimit të Fiksit lirohet i “harruari” në qeli! 

11/01/2022 20:40

Fiks Fare denoncoi veprimet e drejtësisë shqiptare, e cila “harroi” në qeli një të burgosur, megjithëse i kishte mbaruar dënimi.

Një 29 vjeçar ishte dënuar me 6 vite e 8 muaj burg nga Gjykata e Apelit e Milanos, Itali. Ky vendim u ekzekutua në shtetin shqiptar dhe prej vitit 2017 qytetari ndodhej në burg. Por, në 2018-ën Gjykata Kushtetuese Italiane ia uli dënimin, nga 6 vite e 8 muaj burg në 5 muaj e 3 muaj burg. Vendimi i Kushtetueses Italiane mbërriti në Shqipëri në vitin 2020 në Ministrinë e Drejtësisë dhe më pas në Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë Kavajë dhe Burgun e Rrogozhinës. Në vitin 2020, Prokuroria e Kavajës tentoi që të “njohë” këtë vendim në gjykatë, por u rrëzua me arsyetimin se “nuk ishte bërë kërkesa në mënyrën e duhur”.

Prokurorja “harroi” të korrigjonte gabimin apo ta apelonte, pasi u transferua në Prokurorinë e Durrësit. Dhe, gjatë kësaj kohe, gjykata dhe prokuroria i kanë rrëzuar kërkesat mbrojtjes për shuarje mase. Aktualisht, me uljet e dënimit, qytetari duhet të ishte liruar nga burgu në fillim të muajit dhjetor 2021.
 
Në redaksinë e Fiks Fare u ankua Vasil Kita. “Djali im është dënuar në Itali me 6 vite e 8 muaj burg. Për atë gabim që bëri u arrestua në Shqipëri ku dhe punonte. Prej vitit 2017 është në burg, ku fillimisht iu njoh një vendim i dënimi në Itali nga Gjykata e Kavajës. Por, çështja vijoi në Itali dhe Gjykata Kushtetuese Italiane vendosi që t’ia ulë dënimin në 5 vite e 3 muaj burg. Ky vendim ka ardhur në Shqipëri në 2020 në Ministrinë e Drejtësisë dhe në Prokurorinë e Përgjithshme dhe të Kavajës. Por, s’po e njohin. Nxjerrin lloj lloj arsyesh, jo ka harruar prokurorja e parë. Jo ajo nuk e apeloi. Unë nuk dua kush e ka fajin, dua që të dalë djali nga burgu. Ai ka përfituar edhe disa ulje dënimi dhe duhet të dilte në fillim të muajit dhjetor nëse do i njihej ulja në Itali. Askush nuk e liron. E ndoqëm në të gjitha këto institucione dhe shpresa e fundit është Fiks Fare” tha Vasili. 

Në vendimet që ka siguruar Fiks Fare rezulton se në vitin 2018 Gjykata e Kavajës ka marrë një vendim për “njohje e vendimit penal të huaj” dhënë nga gjykatësi për hetimet paraprake pranë Gjykatës së Milanos, që ka marrë formë të prerë në datë 24 mars 2017, me anën e së cilit shtetasi Xhaferr Kita është dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg”. Vendim që është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit. 

Ndërkohë, në datën 22 maj 2020, pranë Prokurorisë Kavajë ka shkuar një dokument me numër protokolli 988/1, me lëndë “mbi njohjen e vendimit penal italian në ngarkim të shtetasit shqiptar Xhaferr Kita”. Në këtë dokument thuhet se “ju përcjellim shkresën e Ministrisë së Drejtësisë, me anë të së cilës ka transmetuar njoftimin dhe aktet e autoriteteve italiane për ripërcaktimin e masës së dënimit”. Në brendësi të këtij dokumenti, Ministria e Drejtësisë i ka përcjellë Prokurorisë Kavajë edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese Italiane, e cila ka vendosur: dëninin e shtetasit shqiptar Xhaferr Kita prej 5 vitesh, 3 muaj e 3 ditë. Pra, nga 6 vite e 8 muaj burg, dënimi ka shkuar në 5 vite e 3 muaj e 3 ditë burg. 

Vendimin e Gjykatës Kushtetuese ka tentuar ta ekzekutojë në gjykatë Prokuroria e Kavajës. Por, Gjykata e Kavajës ia ka rrëzuar kërkesën prokurores Edina Kurti, me arsyetimin se “nuk është bërë në mënyrën e duhur”. Prokurorja ka gabuar me kërkesën, pasi në vend që ta bënte rishikimin e vendimit të 2018-ës të Gjykatës së Kavajës, kërkoi njohjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në vendimin e Gjykatës së Kavajës thuhet se “një mjet i mundshëm për t’u përdorur në rastin konkret është rishikimi i vendimit të Gjykatës së Kavajës”. Por, pas këtij vendimi, prokurorja Kurti “harroi” ta apelonte këtë vendim dhe të ndreqte objektin e kërkesës. Madje, ajo u transferua në Prokurorinë e Durrësit dhe dosja e 29-vjeçarit u arshivua. Sipas një dokumenti të lëshuar nga Burgu i Rrogozhinës, për ecurinë e vuajtjes së dënimit, nga momenti i arrestimit, uljet e dënimit, apo ripërcaktimin e dënimit nga Gjykata Kushtetuese Italiane, rezulton se dënimi ndaj z.Xhaferr Kita kishte përfunduar në fillim të dhjetorit. 

Pas ankesës dhe dokumenteve, gazetarët e Fiks Fare shkuan në Prokurorinë e Kavajës, ku takuan drejtuesin Durim Bedini. Ky i fundit, i adreson gazetarët te prokurori Gëzim Çopa. Prokurori Çopa thotë se nuk është në dijeni të vendimit të 2018-ës të Gjykatës së Kavajës që ia ka rrëzuar, ndërsa thotë se vendimi tashmë është i formës së prerë dhe se Prokuroria Kavajë nuk mund të rikërkojë rishikimin e vendimit. Ai pranon se është bërë një gabim nga prokurorja e mëparshme, Edina Kurti, pasi ajo nuk e ka apeluar dhe nuk ka ribërë kërkesën në gjykatë. 
Por, menjëherë pas interesimit të Fiks Fare, Prokuroria e Kavajës kërkoi me urgjencë në Gjykatën e këtij rrethi rishikimin e vendimit. Kjo gjykatë, brenda të njëjtës ditë, caktoi gjyqtarin me short, pranoi kërkesën e prokurorisë për rishikimin e vendimit dhe urdhëroi lirimin e të burgosurit. Sërish në të njëjtën ditë, Prokuroria lëshoi urdhrin e ekzekutimit për lirimin e të burgosurit dhe Xhaferr Kita tashmë është pranë familjarëve të tij. “Falenderoj Fiks Fare për ndihmën. Atë që se bënë institucionet e drejtësisë, e bëri Fiksi brenda pak ditësh” përfundoi denoncuesi Vasil Kita. 

PROKURORIA E KAVAJËS

Kryeprokurori Kavajë – Durim Bedini! 
Gazetari – Si kalove, si jeni? 
Kryeprokurori Kavajë – Mirë, pse jeni munduar? 
Gazetari – Për këtë personin, Xhaferr Kita. Ne kemi një ankesë nga Xhaferri. Ky vendim i Gjykatës së Milanos, nuk është pasqyruar te vendimi, apo nuk po zbatohet nga Prokuroria Kavajë. 
Prokurori Gëzim Çopa – Se ashtu siç thoni ju nuk ka mundësi, nuk ndodh! Të jap një përgjigje tamam duhet të mbledh dosjen, s’e s’kam qenë unë prokurori i çështjes. Ju duhet të më thoni çfarë kërkoni ti mbaj shënim… 
Gazetari – Unë kërkoj, ky vendim i ri, i Gjykatës Kushtetuese Italiane… 
Kryeprokurori Kavajës – I Gjykatës Kushtetuese Italiane, që i është ulur një sasie dënimi, përse nuk po zbatohet nga ne! 
Gazetari – Përse nuk po zbatohet nga prokuroria?! 
Prokurori Gëzim Çopa – Po ku është ky vendim? 
Gazetari – Ja ky që është këtu! 
Prokurori Gëzim Çopa – Ky është vendim këtu! 
Gazetari – Po. Tani, ka ardhur vendimi në vitin 2016-2017-ën. 
Prokurori Gëzim Çopa – I gjykatës së huaj. 
Gazetari – I huaj, po. Për t’u njohur. Është dhënë ky vendim. 
Prokurori Gëzim Çopa – Njohja e vendimit penal të huaj. 
Gazetari – Po. Deri këtu shumë mirë, është shumë mirë. Është njohur vendimi me 6 vjet… 
Prokurori Gëzim Çopa – Dhe Gjykata e Apelit ka vendosur lënien në fuqi të këtij vendimi. 
Gazetari – Ka marrë formë të prerë ky. 
Prokurori Gëzim Çopa – Është ekzekutuar. 
Gazetari – Tani, ky është ekzekutuar dhe robi është në burg, jemi dakord. Tani, çfarë ka ndodhur?! Tani, gjatë kësaj kohe, në Itali është bërë kjo çështje, ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese. 
Kryeprokurori i Kavajës – Ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese. 
Gazetari – Dhe është marrë një ulje dënimi. 
Prokurori Gëzim Çopa – Atje apo këtu? 
Gazetari – Atje! Për 1 vit e 4 muaj. Gjykata Kushtetuese Italiane ka marrë një vendim që e ka sjellë me letër-porosi në 2020-ën, nëpërmjet Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë Kavajë dhe Burgut. 
Prokurori Gëzim Çopa – … ministrisë së Drejtësisë, me anë të së cilës ka transmetuar njoftimet dhe aktet e autoriteteve italiane mbi përcaktimin e masës së dënimit në ngarkim të subjektet dhe komunikimin e tyre. 
Kryeprokurori Kavajë – Durimi thotë këtu, s’e kam idenë!  
Gazetari – Pas kësaj çfarë ka ndodhur? Prokuroria Kavajë ka kërkuar, njohjen e vendimit penal të huaj, në zbatim të … 
Kryeprokurori Kavajë – Mbas ardhjes së kësaj? 
Gazetari – Mbas ardhjes së kësaj. 
Kryeprokurori Kavajë – Është ky vendim gjykate?! 
Gazetari – Dhe shiko ça thotë; njohjen e vendimit penal të huaj, në zbatim të sentencës… 
Kryeprokurori Kavajë – Në zbatim të këtyre shkresave? 
Gazetari – Po, të këtyre shkresave, … gjykata vlerëson se mjeti i zgjedhur nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kavajë është jo i duhuri për arsyet e mësipërme. Gjykata vlerëson se një mjet i duhur për rastin konkret mund të jetë rishikimi i vendimit që ka realizuar njohjen e vendimit penal të huaj. Është rishikimi i këtij vendimi. 
Prokurori Gëzim Çopa – Dhe gjykata thotë jo, se po ta rrëzoj. 
Gazetari – Po duhet të rishikohet ky thotë gjykata! Rishiko këtë thotë gjykata. 
Prokurori Gëzim Çopa – Ai është një vendim që ka marrë formë të prerë. 
Gazetari – Po pra, rishikoje se ka të dhënë të tjera, gjykata italiane… 
Prokurori Gëzim Çopa – Mirë pra, prokurori që ka qenë duhet të kishte bërë ankimin e vendimit në apel. 
Gazetari – S’është bërë, s’e keni bërë. 
Prokurori Gëzim Çopa – S’e kemi bërë, s’është e ndarë. S’e kemi bërë, se s’ka kooperativë. Secili prokuror ka dosjen e vetë. Prokurorja Edina Kurti duhet të vazhdonte, të kishte bërë apelin. 
Kryeprokurori Kavajë – Si vazhdon tani përshembull? 
Prokurori Gëzim Çopa – Duhet të dija këto, të vija te fakti që është bërë një gabim… 
Kryeprokurori Kavajë – Kjo është aktualisht tani në gjykim? 
Gazetari – Po është në gjykim, po e ka bërë pala. S’duhet ta bëjë pala, duhet ta bëjë Prokuroria Kavajë. 
Prokurori Gëzim Çopa – Prokuroria Kavajë ka emër prokurori. Prokurori që e ka pasur çështjen e ka vlerësuar ai që s’duhet të bëjë ankim. Prokurori duhet të kishte bërë ankimin, nuk e ka bërë ankimin. Vendimi ka marrë formë të prerë.  
Gazetari – Nëse do ti ulet ky vendim i marrë nga Gjykata Kushtetuese 
Prokurori Gëzim Çopa – E ka dhënë Gjykata Kushtetuese Italiane. 
Gazetari – Po pra. Se ju ka ardhur juve kjo, s’i ka ardhur palës. 
Prokurori Gëzim Çopa – Mos u ngut, se kjo që ka ardhur që andej nga Prokuroria e Përgjithshme është vënë në lëvizje, ja tek e ke vendimin e gjykatës. 
Prokurorja tjetër – Është për tjetër gjë. 
Prokurori Gëzim Çopa – Tani unë s’duhet të them emër prokurori, ai prokuror që e ka pasur kur i ka thënë gjykata duhet bërë kërkesë për rishikim vendimi… 
Kryeprokurori Kavajë – Tani, pavarësisht kësaj… 
Gazetari – Mund të bëhet një kërkesë tjetër për rishikim? 
Prokurori Gëzim Çopa – Po. 
Gazetari – Nga llogaritjet që kemi bërë ne, dhe masës atje në burg, i binte gati 25 ditë që e kishte kaluar afatin. 
Prokurori Gëzim Çopa – Po pra, nëse do ishte njohur ky, po s’është njohur ky! Nuk duhet ti hyj pse e ka dhënë gjyqtari këtë. Sepse nëse ka qenë… kush e ka bërë gabimin, ç’rëndësi kush e ka bërë gabimin! 
Gazetari – Pse mos ta bëjë Prokuroria e Kavajës, ta bëjë pala. 
Prokurori Gëzim Çopa – Cila Prokurori e Kavajës, se Prokuroria e Kavajës është abstrakt. 
Gazetari – Si abstrakt, ja ka drejtues, ka prokurorë… 
Kryeprokurori Kavajë – Ja ne jemi, 3 veta jemi ne. Nga 7, 3 jemi tani! Durimi ka njohur vendimin e parë penal të huaj. 
Gazetari – Po atë dakord. 
Kryeprokurori Kavajë – Unë jam Durimi (Kryeprokurori Kavajë). 
Prokurori Gëzim Çopa – Këtë e ka njohur prokurorja Edina Kurti, është në Durrës Tani! 

FOTO GALERI
7/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA