Zhvlerësimi i euros ndaj monedhës shqiptare, Berisha: Leku thyen rekordin botëror, do të quhet “narkos”

12/10/2026 13:09

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për zhvlerësimin e euros në raport me lekun, duke e cilësuar forcimin e monedhës vendase si një rekord negativ për ekonominë shqiptare.

Berisha iu referua të dhënave që, sipas tij, i atribuohen Eurostat-it për ecurinë e euros kundrejt 40 monedhave kryesore në botë.

“Sot, në historinë e këtij vendi, shënohet rekordi më i zi i kohërave. EUROSTAT shpall se leku shqiptar thyen rekordin botëror në raport me zhvlerësimin prej tij të euros dhe dollarit, por EUROSTAT është marrë me euron.

EUROSTAT ka studiuar raportin e euros me 40 monedhat kryesore të planetit. Çfarë gjen EUROSTAT nga studimi i 40 monedhave të planetit? Gjen se leku është monedha më e fortë në botë në raport me euron. Gjen se euro në Shqipëri është zhvlerësuar më shumë se në çdo vend tjetër 33 përqind.

Gjen se zhvlerësimi i dytë më i madh i euros është 18 përqind dhe ky është Izraeli me ekonomi 10 herë, 15 herë më e fuqishme se e Shqipërisë. Zhvlerësimi i tretë është Zvicra me ekonomi trilion.

Ka një zhvlerësim të lehtë me 6 përqind në Meksikë, tek Sinaloa. Në Serbi me dinarin, 6 përqind. Ka një zhvlerësim euro me dollarin e Singaporit 3 përqind. Kurse me dy monedha të tjera, përveçse dy që mbetet pa ndryshim euro ka fituar terren.

Për shembull unë u them këtu, me sterlinën ka fituar 1 përqind. Me dollarin e Hong Kongut ka fituar 5 përqind. Me koronën norvegjeze ka fituar 17 përqind. Norvegjia vetëm fondin sovran të investimeve e ka 2 triliard euro.

Pra, çfarë kemi këtu? Kemi transformimin përfundimtar të lekut në narkos. Dhe sot e tutje nuk do quhet më lek, por do quhet narkos. Pesë mijë narkos, kjo do jetë monedha e re e Shqipërisë”, tha Berisha.

Ky i fundit foli edhe në lidhje me vendimin e Etikës për përjashtimin me 60 ditë të deputetëve Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu.

“Sot Edi Rama urdhëroi, pa asnjë bazë ligjore, të përjashtojë kryetarin e grupit të Partisë Demokratike dhe nënkryetarin e komisionit të sigurisë, zotërinjtë Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu, dy muaj nga parlamenti.

Armik i egër i parlamentarizmit, i protestës dhe fjalës së lirë, Edi Rama me akte të tilla dëshmon se është një narko-diktator i urryer për shqiptarët.

Dënojmë me forcën më të madhe këtë vendim antiligjor, antikushtetues, kryekëput të pabazë.

Natyrisht, grupi parlamentar do mblidhet të shqyrtojë qëndrimet përkatëse ndaj këtij vendimi”, përfundoi Berisha.

Top Channel