Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar këtë të mërkurë ka vendosur të shtyjë seancën gjyqësore për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Arsyeja ka qenë se gjyqtari i ri, Florian Kalaja ka kërkuar kohë për të studiuar dosjen pas dorëheqjes së gjyqtares Daniela Shirka.

Shirka është e treta gjyqtare që tërhiqet nga çështja penale ndaj Tahirit dhe ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çelës, me argumentin se është në papajtueshmëri pasi ka shqyrtuar një çështje të bashkëlidhur me atë të ish-ministrit.

Jashtë dyerve të gjykatës avokati, Maks Haxhia ka komentuar edhe situatën e krijuar pas dorëheqjes që dha më 4 janar gjyqtarja Daniela Shirka.

“Kërkesa u paraqit në gjykatë për të parë cili është shkaku, nga avokatët është bërë kërkesë për papajtueshmëri për mos qenë prezent Daniela Shirka se e ndalon procedura për të marrë pjesë në gjykime të njëjta për të evituar influencën nga e njëjta çështje, nëse shkaku do jetë i njëjtë me atë që kemi kërkuar për të përjashtuar trupin gjykues”, tha Haxhia.

Mësohet se seanca e radhës do të mbahet më datë 17 janar.

Çështja “Tahiri” u regjistrua në këtë gjykatë më 26 nëntor. Më parë kjo çështje ishte në ngarkim të Gjykatës së Lartë. Kjo e fundit zbardhi vendimin për çështjen e ish-ministrit, ku u argumentua se ka pasur shkelje proceduriale gjatë gjykimit të tij dhe ish-drejtorit Jaeld Çelës.

Me vendimin e marrë Gjykata e Lartë i dha një fitore proceduriale Tahirit, ndërsa vendosi prishjen e vendimit të 26 qershorit 2020 të Gjykatës së Posaçme të Apelit dhe rikthimin e çështjes për shqyrtim tek një trupë tjetër e Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Tahiri u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë në tetor të vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj –të afërm të Tahirit.  Prokuroria e akuzoi Tahirin për trafik të narkotikëve dhe kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste e bllokoi kërkesën për arrestim dhe e sulmoi hetimin e prokurorisë si të njëanshëm.

Në shtator 2019, Tahiri u shpall i pafajshëm për akuzat e trafikut të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal, por u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 5 vjet burg për shpërdorim detyre, dënim i cili u konvertua me 3.4 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Vendimi i shkallës së parë u prish nga Gjykata e Posaçme e Apelit, e cila e riktheu çështjen për rishqyrtim.

Top Channel