Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka zhvilluar paraditen e kësaj të mërkure një takim me drejtorët e departamenteve dhe drejtorët vendorë të policisë.

Burime për ‘Top Channel’ bëjnë me dije se fokusi i këtij takimi, ka qenë marrja e masave të menjëhershme për parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete.

Drejtorët e qarqeve do të raportojnë për punën e tyre të bërë gjatë viti të kaluar, por do të jepen edhe udhëzimet e duhura nga kryepolici lidhur me garantimin e jetës së qytetarëve por dhe kapjen e autorëve të atentateve të fundit të ndodhura në vend, që kanë mbetur të pazbardhura.

Nano ka kërkuar ndër të tjera, bashkëpunim dhe koordinim më të mirë mes strukturave policore që operojnë në pikat e kalimit kufitar, ato në terren e me shërbimet inteligjente, për marrjen në kohë të informacioneve për personat me precedent kriminal që kthehen nga jashtë shtetit dhe mbajtjen nën kontroll të tyre, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale.

Më tej, Nano ka kërkuar intensifikimin e kontrolleve në territor, për parandalimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie, bllokimin e automjeteve të vjedhura, kontrolle në varreza makinash e servise makinash ku mbahen të fshehura apo çohen makinat e vejdhura, që më pas bëhen pjesë e ngjarjeve kriminale.

Më 4 janar u shënua dhe viktima e parë e një atentati për 2022, ku humbin jetën Erion Çela nga breshëria e kallashnikovit dhe u plagosën 4 të tjerë, gjatë kohës që po konsumonin kafe në një lokal në “Don Bosko”.

Ndërsa më 3 janar në spitalin e Lezhës u shfaq me 3 plagë plumbi Vinçens Piroli, i cili tha se u plagos në Shkodër. Piroli dyshohet se është vrasës me pagesë, ndërsa ishte në kërkim ndërkombëtar për vrasje në Ulqin të Malit të Zi.

Top Channel