Përkeqësohet situata e pandemisë në Mal të Zi, rriten infektimet me Covid

04/01/2022 09:16

Autoritetet në Mal të Zi janë duke u përballur me rritje të shpejtë të rasteve të infektimit me koronavirus, pas raportimit të rasteve të para të variantit Omicron të këtij virusi.

Vetëm më 3 janar, autoritetet kanë raportuar për 12,507 raste të reja me koronavirus.

Shtatë ditë më parë, shifra ditore e të infektuarve ka qenë 3,310.

Instituti i Shëndetit Publik në Mal të Zi ka thënë se varianti Omicron i koronavirusit – i cili është identifikuar 18 ditë më parë në këtë shtet- është dominant dhe po përhapet më shpejt sesa variantet tjera.

Sipas statistikave, numri i personave të infektuar më 3 janar, në krahasim me dy javë më parë, është rritur për gati 450 për qind.

Numri i viktimave është ulur për 11 për qind.

“Shumica e pacientëve të rinj janë të grup-moshës 20 deri në 40 vjeç”, është thënë në një deklaratë të Institutit.

Në gjithë shtetin janë hospitalizuar 169 pacientë derisa 29 prej tyre – të infektuar me koronavirus – janë në rrezik për jetë.

Sipas autoriteteve, 44 për qind e popullsisë së Malit të Zi është vaksinuar me dy doza të vaksinës kundër koronavirusit.

Mali i Zi ka një popullsi prej 620,000 banorësh.

Prej shpërthimit të pandemisë, në këtë shtet janë regjistruar rreth 175,000 raste të infektimit me koronavirus.

Prej tyre, 2,420 persona kanë vdekur.

Top Channel