Në redaksinë e emisionit investigativ mbërriti një ankesë nga Ervis Germenji, i cili është emigrant ekonomik në Greqi.

Ervisi ka marrë një kredi te Fondi Besa, kredi të cilën po e shlyente. Në mars të vitit 2020, në kohën e shpërthimit të pandemisë, ai ndodhej në Greqi. Një oficer i kredisë së Fondit Besa i ka thënë se kredia juaj ngurtësohet, si pasojë e një marrëveshje mes Bankës së Shqipërisë dhe Kryeministrit Edi Rama. Madje, në atë kohë, Rama do të deklaronte se “shtyhen kreditë”, por pa shpjeguar në detaje këtë vendim.

“Unë kredinë e kisha marrë dhe paguaja rreth 80 mijë lekë të vjetra në muaj si këst. I kam paguar të gjitha. Por këta ma shtynë nja 10 muaj. S’më thanë asnjë gjë, as kam firmosur dhe as u kam kërkuar shtyrje. Kur mbaroi pandemia, shlyej të gjithë kredinë, principalin dhe interesat. Por, Fondi Besa më thotë se ke edhe 37 mijë lekë të reja si ‘interes periudhë Covidi’. Madje, të shkruara në një dokument. Tani i bie që të paguaj për 1 vit edhe 30 mijë lekë në muaj, kur unë këstin e kisha 80 mijë të vjetra. Unë s’kërkova shtyrje, as kam firmosur” thotë Ervisi.

Qytetari këmbëngul se nuk ka bërë asnjë kërkesë për ngurtësim të kredisë te Fondi Besa. Sipas tij, në mars të vitit 2020 ka parë një status të kryeministrit Edi Rama, i cili lajmëronte shtyrjen e kësteve të kredisë. Në këtë status, Kryeministri Rama shkruan se “bashkëfirmosëm me guvernatorin e bankës së Shqipërisë një shtyrje të metejshme tremujore të kësteve të kredisë. Banka e Shqipërisë miratoi një lehtësim për bankat e nivelit të dutë, që të bëjnë ristrukturime proaktive të kredive”.

Ndërkohë, në mars të vitit 2020, Banka e Shqipërisë ka urdhëruar që të shtyhet afati i pagimit të kësteve të kredive për biznese dhe individë, të cilët janë përballur me vështirësi në këtë periudhë si pasojë e covid 19. Në pikën 2 thuhet se kredimarrësit duhet të komunikojnë me kredidhënësit, duke u argumentuar këtyre të fundit arsyet e tyre për shtyrje të pagimit të kësteve. Pra, individët duhet të bënin kërkesë për shtyrje kredie. Por, denoncuesi thotë se s’ka bërë asnjë kërkesë te Fondi Besa!

Pas ankesës, gazetarët u interesuan te Fondi Besa. Një oficer i kredisë në qytetin e Çorovodës u tha gazetarëve të Fiks Fare se “Ervisi ka bërë një pagesë prej 1 milionë lekësh të vjetra, por tani ka edhe 380 mijë interesa Covidi”. Oficeri e pranon se Ervisi nuk ka bërë kërkesë për ngurtësim, teksa thotë se “interesat dalin nga sistemi”. Gazetarët e Fiks Fare u interesuan edhe te Fondi, ku morën një përgjigje se klientit “z. Ervis Germenji, për shkak të pandemisë Covid-19, bazuar te urdhri i përbashkët midis kryeministrisë dhe Bankës së Shqipërisë, i është kryer “ngurtësim” i kredisë së klientit”. Sipas saj, “ngurtësim” është ristrukturim i kredisë, i cili lehtëson klientin për shtyrjen e këstit për një periudhë kohe, derisa klienti të “rimarrë” veten nga situata e veshtirë ekonomike ku ndodhet.

“Për rastin konkret, Fondi Besa ka përllogaritur interesat e rregullta të kredisë për periudhën e shtyrë Covid-19 dhe nuk ka përllogaritur penalitetin për vonesat e pagesës së kësteve të kredisë. Z. Germenji, në momentin e shpalljes së pandemisë, ndodhej jashtë vendit dhe në pamundësi për të paguar kredinë, i është bërë ‘shtyrja e kredisë’, në mënyrë që mos të penalizohej për mos pagesa dhe mos kategorizohej si klient ‘i keq’ që nuk paguan” thotë Fondi Besa. Më tej shkruan se “është sqaruar në telefon nga punonjësi i Fondit Besa dhe ai ka dërguar një të afërmin e tij pranë zyrave tona në Çorovodë”. Më tej pohon se ai ka kryer pagesa të kësteve të kredisë deri në datën 28 shtator 2021 dhe aktualisht detyrimi i tij llogaritet në 38,029 lekë. Pra vetë Fondi Besa thotë se klienti nuk ka bërë asnjë kërkesë për shtyrje kredie, por vetëm sa është njoftuar në telefon!

Pas kësaj përgjigje, Fiks Fare iu drejtua Bankës së Shqipërisë. “Klientët e bankave apo institucioneve financiare jo banka, për të përfituar nga urdhri i përbashkët, duhet të dërgonin pranë subjektit ku ishin kredimarrës, kërkesën për përftimin nga urdhri dhe dokumentacionin se gjendja e tyre financiare është ndikuar negativisht nga situata e krijuar nga Covid-19. Pas aprovimit të kërkesës nga subjektet, shtyrja e pagesave të kësteve dhe rrjedhimisht pagesa e detyrimit të huamarrësit duhet të kryhej sipas një marrëveshje të dakordësuar midis palëve. Në urdhër parashihet një shtyrje e pagesave të kësteve të huasë, e cila përbëhet nga principali dhe interesi, por jo falje e tyre” thotë Banka e Shqipërisë. Banka shkruan qartë se klienti duhet të bënte një kërkesë për shtyrje kredie. Por, z.Ervis Germenji nuk ka bërë një marrëveshje të tillë me Fondin Besa. Aq më tepër se ai, gjatë ngurtësimit të kredisë ndodhej në Greqi. Ky ngurtësim vetëm sa ka rënduar gjendjen e tij ekonomike, teksa Fondi Besa i ka ngarkuar edhe një shumë prej 38 mijë lekësh që duhet ta paguajë si “interes periudhë covidi”.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel