44 kilogramë,  500 gramë kanabis, 4 kallëpe me lëndë plasëse C4, kapsolla detonatore dhe fitil zjarrpërcjellës janë sekuestruar në pyllin midis fshatit Kakavijë dhe fshatit Dritë.

Policia Kufitare e Kakavijes, Frontex dhe specialistët e Narkotikëve në DVP Gjirokastër në bashkëpunim arritën të kapin drogë dhe lëndë eksplozive në kufirin e gjelbër.

Vijon krehja e zonës, për kapjen e autorëve, të cilët mundën të largohen duke përfituar edhe nga moti i keq me shi dhe mjegull.

Nga informacionet e marra nga Policia Kufitare,tre persona po transportonin lëndë narkotike në drejtim të shtetit grek.

Si rezultat i kontrolleve në pyllin midis fshatit Kakavijë dhe fshatit Dritë,  shërbimet e Policisë kanë parë nëpërmjet dylbive, tre shtetas që po transportonin dy çanta në të cilat dyshohej se kishte lëndë narkotike.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të këtyre shtetasve, të cilët sapo kanë diktuar se po i ndiqte Policia, kanë braktisur çantat dhe duke përfituar edhe nga moti i keq me shi e mjegull janë larguar me shpejtësi në thellësi të pyllit.

Grupi hetimor, gjatë kontrollit në çanta, gjeti 42 pako të mbështjella me qese plastike, në brendësi të të cilave kishte lëndë të dyshuar narkotike cannabis sattiva, me peshë totale 44.5 kg, 4 kallëpe me lëndë plasëse të llojit C4, kapsolla detonatore dhe fitil zjarrpërcjellës, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Top Channel