Ditët e fundit ka plasur një skandal i madh me të dhënat personale ku përfshihen një sërë zërash përtej faktit që flitet se kanë qarkulluar prej muajsh, por ajo që bëri bujë e diskutime është cështja e pagave.

Prof.doc. Suzana Guxholli ka folur në “Top Talk” për këtë çështje duke treguar si publikimi i pagave zbuloi edhe një skandal të evazionit fiskal.

Denis Dyrnjaja: Ajo që dua të merrja një opinion është çështja e evazionit masiv fiskal. Pra disa kompani janë të ndershme, kanë deklaruar rrogat e larta duke ju mbajtur tatime ashtu siç ligji parashikon, pra duke parashikuar tatimin progresiv që është goxha i majmë për disa paga të larta dhe shumë njerëz janë marrë me njerëzit që janë paguar shumë por kanë deklaruar shumë tatim. Ajo që bie në sy është një nivel struktural i disa pagave formale.

Suzana Guxholli: Evazioni dhe shmangia fiskale e pagave është një fenomen mbarëbotëror, i njohur prej kohësh dhe i lidhur dhe me sjelljen e përqasjen e natyrës njerëzore ndaj parasë. Ne kemi varfëri të tejskajshme që e bëri të dukshme kjo listë pagash dhe të gjithë fenomenet e tjera që rrjedhin nga kjo. Doja të thoja që ky evazion dhe shmangie janë fenomene që njihen dhe për këto ka ligje, ka masa e institucione. Ne ligjet i kemi të standardit europian, por zbatimin e kemi të nivelit otoman.

Format se si bëhet evazioni është kriminal dhe po u kape që nuk paguan taksa, dënohesh. Ajo që vihet re është shmangia dhe në njëfarë mënyre akomodohet nga ligji e nga boshllëqet që ka ligji. Për shembull, duke mos deklaruar pagën e plotë por duke deklaruar nën vlerën e pagës reale, shmanget pagesa e një tatimi mbi këtë pagë, më i vogël. Njëkohësisht dhe kompania, detyrimet e saj në shtet i ka më të vogla. Kjo sjell një fitim të menjëhershmë për kompaninë, por një varfëri afatmesme dhe më tej. Duhet punuar që sistemi i taksimit të jetë një sistem që të mos rëndojë as mbi kompanitë, as mbi individin.

Top Channel