Ekzekutimi i Behar Sofisë/ Burg për Bujar Lezën, bashkëpunëtor në vrasje! Mohon akuzën i përlotur

27/12/2021 11:39

Gjykata e Posaçme vendosi arrest me burg për Bujar Lezën, bashkëpunëtorin e autorit të vrasjes së Behar Sofisë, ngjarje e ndodhur më 25 shkurt në Tiranë.

Leza gjatë seancës gjyqësore u përlot dhe tha se nuk e kishte bërë ai, por kjo akuzë u dha pasi ishin siguruar mjete për vrasjen e Sofisë.

Prokuroria tha se Leza kishte vjedhur biçikletën dhe siguruar armën e vrasjes.

Mbi 45-vjeçarin banues në Larushk të Krujës rëndojnë veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Të arrestuarit për vrasjen e Sofisë janë: Ernejt Shyti, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë; Skënder Vathi, 54 vjeç, lindur në Arrameras, Fushë Krujë dhe banues në Tiranë; Leonar Xhixha, 30 vjeç, lindur dhe banues në Arrameras, Fushë-Krujë, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja me paramendim” ngelur në tentative dhe  Xhuljano Visha, 28 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.

Skënder Vathi dyshohet se është organizatori i skemës së eliminimit të Behar Sofisë dhe të ketë komunikuar me ekzekutorin Ernejt Shyt, i cili u arrestua në Malin e Zi.

Përveç vrasësit me pagesë, Ernejt Shytit, asnjë nga të arrestuarit e tjerë nuk kanë pranuar se janë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale që tronditi kryeqytetin. Skënder Vathi ka mohuar që një telefon i gjetur nga autoritetet të jetë i tij.

Si ndodhi ekzekutimi i Behar Sofisë?

Burimet tregojnë se viktima Behar Sofia ka qenë duke pirë kafe poshtë banesës së tij, në katin e dytë të një qendre tregtare pranë rrugës së Elbasanit, një lokal të cilin ai e frekuentonte shpesh dhe që gjithnjë ishte nën prani të personave të tjerë, Të njëjtin itenerar, Sofia e ndoqi edhe të enjten. Ai piu kafe herët në mëngjes dhe doli për të bërë një shëtitje, dy ditë pasi kishte kaluar Covid-19.

Sipas informacioneve, autori e kishte pritur në urën midis zonës së Piramidës dhe Katedrales Katolike të Shën Palit. Më pas, ai e ndjek për rreth 30 metra dhe e qëllon shumë pranë, një plumb e kap në trup dhe një në kokë. Kamerat e sigurisë tregojnë se autori ka qenë i veshur me një kostum sportiv ngjyrë të errët, me kapuç dhe me maskën mbrojtëse anticovid. Ai është larguar qetësisht pas atentatit, drejt bulevardit Dëshmorët e Kombit. Më pas ka marrë një biçikletë dhe është drejtuar në zonën e Liqenit Artificial të Tiranës.

Pista kryesore e hetimit është ajo e vrasjes për larje hesapesh për shkak të prishjes së pazareve të drogës, por një mundësi e vogël është që vrasja mund të jetë bërë edhe për shkaqe banale.

Kush është Behar Sofia?

Behar Sofia, rezulton të jetë një përkrahës i njërës prej partive politike në vend dhe me njohje të shumta në Policinë e Shtetit, duke qenë edhe një biznesmen i suksesshëm në Tiranë. Viktima rezulton me disa biznese në zonën pranë stadiumit Dinamo. Shpesh ka pasur konflikte dhe në biznese i kanë vendosur edhe eksploziv.

Sofia, në vitin 1998 u arrestua në Turqi së bashku me trafikantin Abdulselam Turgut, pasi u kapën me rreth 30 kg heroinë. Mes te arrestuarve ishte edhe Hekuran Hoxha, i cili u arrestua përsëri në 2019, për llogari të operacionit “Volvo 4” dhe i dyshuar se është kreu i grupit të laboratorit të kokainës në Has. Turgut, tashmë është shpallur në kërkim, pasi donte të kryente një atentat terrorist në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në vendin tonë.

FOTO GALERI
1/12
Viktima Behar Sofia

Top Channel