Aksident tragjik për Krishtlindje/ Lezhë, ndërrojnë jetë 24-vjeçari me të fejuarën e vëllait, pamjet e makinës të bërë ‘copë’

25/12/2021 19:57

Një aksident i rëndë ka ndodhur këtë të shtunë në rrugën e Talës në Lezhë, ku kanë ndërruar jetë Kristjan Magjuni dhe e fejuara e vëllait të tij, Atjola Ademi vetëm 16 vjeç.

Makina tip “Pegeot ” me të cilën po lëviznin, ku drejtues ishte 24-vjeçari ka humbur kontrollin duke u përplasur me murin ndarës të një shtëpie.

Përplasja ka qenë fatale, bazuar edhe në pamjet e dërguara nga korrespondentja e Lezhës, Brixhilda Deda, ku pjesa e xhamit të përparmë është bërë copash bashkë me anën e majtë të makinës.

Kristjan Magjuni, viktima e aksidentit në Lezhë

Vendi ynë u trondit nga ky aksident tragjik, në ditën më të rëndësishme të besimtarëve të krishterë, Krishtlindjen, e cila ishte e fundit për të rinjtë.

Ata ishin nisur drejt Talës, ku edhe familja e djalit banonte, për të festuar, gjë e cila nuk ndodhi. Ata nuk shkuan kurrë, ndërsa prindërit po i prisnin me tavolinën shtruar e sytë nga dera.

“Në rrugën e Talës,  Lezhë,  automjeti tip “Pegeot ” me drejtues shtetasin K.M., 24 vjeç ka dalë nga rruga, ku si pasojë ka humbur jetën drejtuesi i mjetit dhe pasagjerja në automjet shtetasja A.A”, sipas njoftimit të policisë.

Nuk dihen ende shkaqet e aksidentit të kësaj të shtune, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të shkakut dhe rrethanave.

FOTO GALERI
1/13

Top Channel