Ish-kapiteni i Anglisë, Alan Shearer bëhet objektiv i protestës anti-vaksina (fotot)

24/12/2021 21:06

Disa protestues anti-vaksina në Angli që tentuan t’i dërgonin dokumente të rreme ligjore ish-kapitenit të kombëtares së futbollit Alan Shearer, raportohet tashmë se i kanë dërguar në një adresë të gabuar.

Ish sulmuesi i njohur i skuadrave të Newcastle United dhe Blackburn Rovers u bë objekt zemërimi pas një videoje zyrtare të kampionatit vendas ‘Premier League’ ku ai nxiste njerëzit të merrnin dozën përforcuese të vaksinës Covid.

E përditshmja “The Guardian” shkruante se ky qëndrim i futbollistit bëri që protestues anti-vaksinime të mblidheshin para një adrese në qytetin e Newcastle, që ata besonin se ishte banesa e tij.

Në videon e shpërndarë gjerësisht në mediat sociale, tre burra e një grua i binin ziles së shtëpisë dhe më pas hodhën në kutinë e postës disa dokumente.

Aktivistët anti-vaksina në Britani shpesh publikojnë video ku shihen duke “dorëzuar dokumente ligjore” te personat që shënjestrojnë si “gënjeshtarë apo propagandistë”.

Por një person që jetonte aty pranë tha për agjencinë PA: “Kjo është një adresë e vjetër e tij.”

Ndërsa në video, burri që postonte dokumentet, tha: “Të gjithë do t’i marrin këto, çdo figurë e njohur që bëhet pjesë. Jemi lodhur me problemet që na shkaktoni, me gënjeshtrat tuaja”.

“Në atë kuti poste shkruhet e vërteta, ate që lamë në shtëpinë e Alan Shearer.”

Policia e rajonit Northumbria tha se nuk ishte përfshirë në incident.

Stili i dorezimit te dokumenteve te personat e njohur vjen nga SHBA, por kjo nuk është hera e parë që aktivistët anti-vaksina kanë shkuar në një adresë të gabuar në Britani.

Në gusht ata bastisën një ndërtesë që besonin se ishte e rrjetit televiziv BBC pa e ditur se kompania ishte larguar prej andej në 2013.

Në vend që të synonin selinë e informacionit të BBC që ata mbanin përgjegjëse për promovimin e vaksinave Covid-19, protestuesit shkuan në qendrën televizive në perëndim të Londrës, që ishte marrë me qera nga rrjeti tjeter vendas ITV.

FOTO GALERI
2/5
Aktivisti ne shtepine e Shearer

Top Channel