Renditja/ Tirana “zhyt” Partizanin, të kuqtë në vendin e parafundit. Egnatia në ndjekje të Teutës, si paraqitet situata pas javës së 6-të
Vllaznia ka marrë fitoren e parë të sezonit, duke mposhtur me rezultatin minimal 1-0 Dinamon.
Në një përballje të luftuar, kuqeblutë gjetën rrugën e rrjetës në pjesën e parë dhe më pas arritën të ruanin avantazhin deri në vërshëllimën përfundimtare.
Heroi i sfidës ishte Edon Murataj, i cili në minutën e 31-të realizoi një gol të bukur nga distanca. Mesfushori lëshoi një goditje të kalibruar, me topin që u përplas në shtyllë përpara se të përfundonte në rrjetë, duke i dhënë avantazhin Vllaznisë.
Përpara golit, shkodranët kishin paralajmëruar rrezikun. Në minutën e 28-të, Murataj shërbeu bukur për Balajn, por tentativa e këtij të fundit përfundoi mbi kuadrat. Pak më herët, një kundërsulm i Vllaznisë nuk u konkretizua, pavarësisht kombinimit mes Qatos dhe Balajt.
Në pjesën e dytë, Vllaznia iu afrua golit të dytë në minutën e 50-të, kur Qato provoi nga distanca, por portieri Teqja arriti të ndalte goditjen. Dinamo reagoi dhe kërkoi golin e barazimit, me Ruben Silvën që provoi me një kthesë brenda zonës në minutën e 56-të, por topi përfundoi mbi traversë.
Rastin më të rrezikshëm për barazimin, dinamovitët e krijuan në minutën e 69-të. Malomo provoi drejt portës, por tentativa e tij u devijua dhe përfundoi në goditje këndi.
Trajnerët ndërhynë me zëvendësime në pjesën e dytë, ndërsa Dinamo shtoi presionin në minutat e fundit, në kërkim të golit që do t’i jepte një pikë. Megjithatë, mbrojtja e Vllaznisë rezistoi dhe skuadra shkodrane arriti të administronte avantazhin deri në fund.
Kështu, Vllaznia feston fitoren e parë të sezonit, duke marrë tri pikë të rëndësishme ndaj Dinamos, një prej skuadrave që synon të jetë protagoniste në kampionat.
Top Channel