Manchester City vijon të jetë i pandalshëm në Premier League angleze. Skuadra e drejtuar nga Enzo Maresca iu imponua Liverpoolit në Anfield duke e mundur pastër 3-0 në një ndeshje ku Citizens zbrisnin në fushën e lojës me hijen e rëndë të sanksioneve të mundshme pas shpalljes fajtor të klubit për 114 akuza për thyerje te normave financiare.

Pjesa e parë u mbyll me barazimin 0-0 me të dyja skuadrat që krijuan shumë pak raste të rrezikshme shënimi edhe pse ishte Liverpool që kishte më shumë topin në zotërim dhe ishte pak më shumë intensiv në ushtrimin e presionit ndaj kundërshtarëve.

Gjërat ndryshuan në pjesën e dytë të ndeshjes kur Liverpool mbeti me 10 futbollistë pasi Gravenberch u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë që u shndërrua në të kuq, një episod që u regjistrua në minutën e 62. Menjëherë pas këtij momenti, Manchester City zhbllokoi rezultatin me Erling Haaland duke marrë kryesimin në rezultat 1-0. Pa u shuar mirë festa e golit të parë, 3 minuta më vonë Citizens ndëshkuan sërish skuadrën e Iraolës duke dyfishuar shifrat në 2-0 me Jeremy Doku.

Manchester City mori totalisht kontrollin e lojës dhe në minutën e 79 shënoi edhe golin e tretë me Rayan Cherki duke e çuar rezultatin në 3-0, shifra të cilat mbetën deri në përfundim të 90 minutëshit me Manchester City që shënoi fitoren e 6 në po kaq ndeshje të kampionatit duke e kryesuar klasifikimin me 18 pikë të plota.

Top Channel