Barcelona shkatërron Sabah në transfertë, katër gola dhe një fitore bindëse në Champions League
Shqipëria bëhet skena e yjeve të ardhshëm të Evropës, gjithçka gati për Euro U21 2027 Nga 16 qershori deri më 3 korrik 2027, Shqipëria do të jetë një nga vendet pritëse të Kampionatit Evropian U21. Tetë stadiume në shtatë qytete do të presin 16 kombëtare, ndërsa ceremonia e shortit do të zhvillohet në Beograd, me prezantimin e Arjola Shehut dhe Bekim Balajn mes ambasadorëve të turneut.
Shqipëria përgatitet të presë një tjetër aktivitet madhor të futbollit evropian. Kampionati Evropian U21 i vitit 2027 do të zhvillohet nga 16 qershori deri më 3 korrik, në një organizim të përbashkët mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Federatës Serbe të Futbollit, të përzgjedhura nga UEFA në shkurt të vitit 2025.
Për herë të parë, faza finale e këtij kompeticioni do të zhvillohet në Shqipëri dhe Serbi, duke sjellë në rajon 16 prej kombëtareve më të mira të kontinentit në këtë grupmoshë. Për futbollin shqiptar, kjo është një tjetër mundësi e rëndësishme për të qenë pjesë e organizimit të një aktiviteti ndërkombëtar të përmasave të mëdha, pas Kampionatit Evropian U17 të vitit 2025 dhe finales së parë të UEFA Conference League, të zhvilluar në Tiranë në vitin 2022.
Nën sloganin “Momenti ynë për të shkëlqyer”, ndeshjet do të luhen në tetë stadiume dhe shtatë qytete pritëse. Në Shqipëri, impiantet e përzgjedhura janë Arena Kombëtare dhe Arena e Demave në Tiranë, Elbasan Arena dhe Stadiumi Loro Boriçi në Shkodër. Ndërsa pjesa tjetër e ndeshjeve do të zhvillohet në stadiumet e Beogradit, Bačka Topolës, Loznicës dhe Leskovacit.
16 kombëtare në garë për trofeun
Faza finale do të përfshijë 16 përfaqësuese, me një format që nis me fazën e grupeve dhe vijon me çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalen. Anglia, kampione në fuqi pas triumfit në edicionin e vitit 2025, do të kërkojë të mbrojë titullin, ndërsa në garë do të jenë edhe emra të mëdhenj si Franca, Gjermania, Italia, Spanja, Portugalia dhe Holanda.
Përveç organizatoreve Shqipërisë dhe Serbisë, në fazën finale janë kualifikuar Belgjika, Kroacia, Anglia, Franca, Gjermania, Italia, Norvegjia, Portugalia, Spanja dhe Polonia. Katër biletat e tjera u siguruan përmes fazës play-off nga Çekia, Finlanda, Greqia dhe Holanda.

Shorti në Beograd, Arjola Shehu në skenë
Ceremonia e shortit të fazës finale do të zhvillohet në Sava Centar, në Beograd, të premten, më 27 nëntor. Eventi do të prezantohet nga moderatorja shqiptare Arjola Shehu dhe prezantuesi serbo-australian Stefan Popović. Shehu ka qenë më parë pjesë edhe e ceremonisë së shortit të Kampionatit Evropian U17, të organizuar në Tiranë në vitin 2025. Në ceremoninë zyrtare do të jenë të pranishëm edhe ambasadorët e turneut. Shqipëria do të përfaqësohet nga ish-sulmuesi i Kombëtares, Bekim Balaj, i cili ka regjistruar 48 ndeshje dhe nëntë gola me fanellën kuqezi.
Pjesë e grupit të ambasadorëve janë gjithashtu ish-futbollistë të njohur të futbollit evropian: Gojko Kačar, ish-mesfushor i Serbisë, Ryan Babel, ish-sulmues i Holandës dhe kampion i Evropës U21 në vitin 2007, si dhe Cristian Zaccardo, kampion bote me Italinë në vitin 2006 dhe fitues i Evropianit U21 në vitin 2004. Ceremonia do të mbyllet me një performancë artistike nga grupi Una Saga Serbica, që do të sjellë një kolazh këngësh shqiptare dhe serbe, duke ndërthurur traditat muzikore të të dyja kulturave.

Një kompeticion që ka nxjerrë yjet e futbollit
Kampionati Evropian U21 është një prej kompeticioneve më të rëndësishme të futbollit për moshat, duke shërbyer si një trampolinë për shumë prej emrave që më pas kanë shkëlqyer në nivelet më të larta të futbollit botëror. Në këtë turne kanë luajtur futbollistë si Xavi Hernández, Andrea Pirlo, Fabio Cannavaro, Petr Čech, Luís Figo, Carles Puyol, Ruud van Nistelrooy, Frank Lampard dhe Harry Kane. Një listë që tregon rëndësinë e këtij kompeticioni në zbulimin dhe promovimin e talenteve të mëdha. Në historinë e turneut, Italia dhe Spanja kryesojnë me nga pesë tituj, të ndjekura nga Anglia me katër dhe Gjermania me tre. Holanda dhe Rusia kanë nga dy trofe.
Biletat në shitje më 27 nëntor
UEFA synon që Euro U21 2027 të jetë një aktivitet i aksesueshëm për të gjithë tifozët dhe miqësor për familjet. Biletat do të dalin në shitje të premten, më 27 nëntor, në orën 12:00 CET, një ditë pas ceremonisë së shortit. Me tetë stadiume, 16 kombëtare dhe një histori të pasur me emra të mëdhenj të futbollit, Euro U21 2027 pritet të kthejë Shqipërinë në një prej qendrave të vëmendjes së futbollit evropian gjatë verës së vitit 2027.
Top Channel