Irani teston raketa nga deti e toka, teksa vijon negocjatat bërthamore me SHBA (fotot)

23/12/2021 21:41

Irani ka nisur kësaj jave teste të shumëfishta raketore si pjesë e manovrave pesë ditore ushtarake.

Mediat perëndimore raportonin se lëshime ishin kryer pranë impjantit të vetëm bërthamor të vendit teksa negocjatat me SHBA për ringjalljen e marrëveshjes ndërkombëtare bërthamore janë në vijim.

“Me qëllim rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të forcave të armatosura, ushtrime stërvitore u mbajtën pranë impjantit bërthamor të Bushehr,” tha për agjencinë shtetërore Fars, Mohammad-Taghi Irani, zv. guvernator i krahinës së Bushehr.

Manovrat ushtarake vijnë gjithashtu teksa SHBA ka thënë se po përgatit “alternativat” e saj në rast të dështimit të negocjatave. Uashingtoni është tërhequr nga marrëveshja në vitin 2018 dhe vendosi sanksione të rënda ekonomike ndaj Iranit.

Bisedimet për programin bërthamor të Iranit po zhvillohen në kryeqytetin austriak Vienë.

Përpjekjet ndërkombëtare po bëhen për ringjalljen e marrëveshjes gjashtë-palëshe të vitit 2015 sipas të cilës Irani duhet të reduktojë aktivitetin bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike e bankare nga SHBA.

Irani ka thënë gjithmonë se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime civile.

Manovrat ushtarake të mbiquajtura “Payambar-e-Azadm” (Profeti i Madh) kanë nisur prej të hënës në provincat Bushehr, Hormozgan e Khuzestan, të gjitha në afërsi të brigjeve të Gjirit Persik.

Ato përfshijnë ushtrime stërvitore me mjete detare dhe lëshime të raketave të preçizionit.

Ndërsa në tryezën e negocjatave përfaqësuesi amerikan Rob Malley tha dje për CNN se kanë mbetur vetëm “disa javë” për ringjalljen e marrëveshjes, nëse Irani vijon aktivitetin bërthamor “me ritmet aktuale”.

FOTO GALERI
9/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA