Si i ngritën shqiptarët rrjetet e kokainës në Ekuador? Nga bizneset fasadë te lidhjet me zyrtarët, media e huaj ‘zbërthen’ zanafillën e tyre

26/08/2026 18:31

Klanet shqiptare ishin ndër të parat që zgjeruan trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës.

Kështu e nis artikullin e saj media ‘Latinoamerica 21’, ku heton mënyrën e veprimit të këtyre grupeve kriminale shqiptare dhe mënyrën se si ato kanë depërtuar në Ekuador.

Tre faktorët që favorizuan mafiet

Sipas analizës, tre faktorë kanë qenë thelbësorë për mafiet shqiptare dhe klanet e tjera ballkanike në shndërrimin e Ekuadorit në një qendër të krimit transnacional: dobësia institucionale dhe korrupsioni në agjencitë e kontrollit, një ekonomi e dollarizuar me kontrolle fillestare kundër pastrimit të parave, si dhe rritja e ndjeshme e prodhimit dhe kërkesës për kokainë në Evropë.

Në Evropë, tregu i kokainës është katërfishuar gjatë 15 viteve të fundit. Ndërkohë, pothuajse çdo vend i Amerikës Latine është bërë një hallkë e rëndësishme në zinxhirin e trafikut të kokainës, qoftë si prodhues, përpunues, vend tranziti apo qendër për pastrimin e parave.

Rajoni tashmë prodhon më shumë se dyfishin e sasisë së kokainës që prodhonte një dekadë më parë. Kultivimi i kokës në Kolumbi, burimi i pjesës më të madhe të kokainës në botë, është trefishuar, duke arritur në rreth 3 mijë tonë në vit, sipas të dhënave të OKB-së.

Fillimet në Ekuador

Rreth vitit 2009, shqiptarët e parë mbërritën në Ekuador. Sipas analizës, ata vepronin në interes të mafies italiane ’Ndrangheta, e cila kërkonte akses të drejtpërdrejtë në blerjen e kokainës nga Kolumbia për ta shpërndarë më pas në Evropë.

Shqiptarët gjetën një sërë avantazhesh, veçanërisht në qytetin portual të Guayaquil-it, i cili ka një rrjet të rëndësishëm portesh. Shumë prej tyre përdoren për eksportin e bananeve dhe produkteve të tjera drejt Evropës dhe kontinenteve të tjera.

Sipas hetimeve, grupet kriminale kuptuan se volumi i madh i mallrave të transportuara në kontejnerë krijonte mundësi për fshehjen dhe trafikimin e drogës.

Në atë periudhë, hetimet e policisë ishin përqendruar kryesisht te dërgesat e drogës që mbërrinin përmes plazheve dhe porteve të vogla të Manabí-t dhe Esmeraldas, me motoskafe që më pas drejtoheshin drejt Amerikës Qendrore dhe Shteteve të Bashkuara.

Karteli Sinaloa ishte një prej aktorëve dominues në transportin e drogës nga Kolumbia përmes Ekuadorit, ndërsa partneri i tij në vend, përgjegjës për transportin dhe logjistikën, ishte banda Los Choneros.

Dobësimi i institucioneve

Në vitin 2007, Rafael Correa erdhi në pushtet në Ekuador dhe ndërmori një sërë vendimesh që, sipas analizës, dobësuan përpjekjet e vendit kundër trafikut të drogës.

Në vitin 2008, marrëdhëniet me Kolumbinë dhe, de facto, me Shtetet e Bashkuara u ndërprenë. Shkak u bë bombardimi i një kampi të FARC-ut në Angostura nga avionët kolumbianë.

Kjo solli pezullimin e shkëmbimit të informacionit, bashkëpunimit dhe operacioneve të përbashkëta kundër grupeve të trafikut të drogës në zonën kufitare.

Correa ndryshoi gjithashtu strukturat e inteligjencës që bashkëpunonin me Kolumbinë dhe SHBA-në dhe transferoi përgjegjësitë për kontrollin e porteve nga Marina te Ministria e Transportit.

Si vepronin rrjetet shqiptare?

Edhe pse objektivi fillestar i shqiptarëve ishte vendosja në Kolumbi, ata zgjodhën Ekuadorin për të testuar modelin e tyre kriminal. Guayaquil u kthye në një prej qendrave kryesore të veprimtarisë së tyre.

Në ato vite, Arbër Çekaj mbërriti në qytetin portual dhe themeloi një kompani për eksportin e bananeve, e cila, sipas hetimeve, u përdor për fshehjen e narkotikëve në anije mallrash.

Në të njëjtën periudhë, Dritan Gjika, i përshkruar si një figurë e rëndësishme e mafies shqiptare, mbërriti në Ekuador me vizë të përkohshme. Në vitin 2012, në vend mbërriti edhe Dritan Rexhepi, i konsideruar si një prej figurave kryesore të rrjetit transnacional shqiptar Compañía Bello.

Fillimisht, këta persona qëndruan në Ekuador për periudha të shkurtra, përpara se të vendoseshin përfundimisht në vend. Sipas analizës, disa prej tyre siguruan dokumente identiteti të falsifikuara ose paguanin për leje qëndrimi dhe viza investitori. Në disa raste, ata përdorën edhe martesa me shtetase ekuadoriane për të siguruar qëndrimin.

Përmes bashkëpunëtorëve vendas, grupet kriminale identifikuan boshllëqe në sistemet korporative dhe bankare. Ata nisën të blinin ose themelonin kompani të eksportit të frutave dhe produkteve të detit, duke krijuar një fasadë biznesmenësh të ligjshëm.

Kjo u mundësoi të depërtonin në rrethet e biznesit në Guayaquil dhe të krijonin kontakte me biznesmenë, politikanë, zyrtarë të lartë të policisë dhe marinës, si dhe me gjyqtarë dhe prokurorë.

Infiltrimi i institucioneve

Sipas analizës, rrjetet kriminale ballkanike nisën të depërtonin në mënyrë të fshehtë në institucionet ekuadoriane, me synimin për të kontrolluar pjesë të rëndësishme të zinxhirit të furnizimit me kokainë dhe për të rritur dërgesat drejt Evropës.

Fitimet nga trafiku i drogës u përdorën më pas për diversifikimin e aktiviteteve kriminale, përfshirë investimet në minierat e paligjshme të arit.

Sipas vlerësimeve të cituara në analizë, ekonomitë kriminale të drejtuara nga mafiet ballkanike gjenerojnë aktualisht rreth 26 miliardë dollarë të ardhura, ekuivalente me rreth 20% të PBB-së së Ekuadorit.

Dhuna përfshin vendin

Rritja e këtyre rrjeteve kriminale ka sjellë pasoja të rënda për sigurinë në vend. Që nga viti 2021, dhuna është përshkallëzuar në Guayaquil dhe më pas është përhapur edhe në qytete të tjera të mëdha, përfshirë Quito-n.

Rreth 50 banda veprojnë aktualisht në Ekuador. Shumë prej tyre ofrojnë shërbime për transportin dhe ruajtjen e kokainës për kartele të ndryshme, përfshirë grupet ballkanike, Sinaloa-n dhe Jalisco Neë Generation.

Përplasjet për kontrollin e territoreve dhe të aktiviteteve kriminale kanë nxitur një valë të re dhune.

Në janar të vitit 2024, qeveria shpalli gjendje lufte kundër grupeve kriminale. Megjithatë, shkalla e vrasjeve vazhdoi të rritet, nga 6 në 50.9 vdekje të dhunshme për 100 mijë banorë gjatë periudhës 2019–2025.

Ekuadori është shndërruar kështu në një prej vendeve më të dhunshme dhe të pasigurta të Amerikës Latine.

Në përpjekje për të frenuar krizën, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian kanë rritur bashkëpunimin me autoritetet ekuadoriane. BE-ja është përqendruar më shumë te trajnimi, programet sociale dhe shkëmbimi i informacionit, ndërsa SHBA-ja te pajisjet, infrastruktura dhe mbështetja për agjencitë e zbatimit të ligjit.

Megjithatë, pavarësisht arrestimeve, shtimit të pranisë policore dhe ushtarake dhe masave ndëshkuese, shteti ekuadorian vijon të përballet me vështirësi në parandalimin e krimit dhe rikthimin e kontrollit mbi territoret ku grupet kriminale kanë konsoliduar ndikimin e tyre.

Top Channel