Siguronin ftesa fiktive për shtetas nga Egjipti, arrestohet një person në Tiranë. E pësojnë edhe tre bashkëpunëtoret e tij

22/12/2021 09:39

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një person në kuadër të operacionit të koduar “The invitation” pasi bashkëpunonte me të tjerë për t’i dhënë ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve.

Është arrestuar A. B., 49 vjeç, banues në Vaqarr, Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” e kryer në bashkëpunim;  dhe janë proceduar penalisht shtetaset F. B. (D)., 43 vjeçe, H. D., 67 vjeçe dhe A. H. (D)., banuese në Vaqarr, Tiranë.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se në bashkëpunim dhe me persona të tjerë, kryesisht në Egjipt, siguronin ftesa fiktive për persona të ndryshëm të huaj, kryesisht nga Egjipti, për të ardhur në Shqipëri, me justifikimin për qëllime turistike, të cilëve më pas iu siguronin ndihmë për t’u larguar në mënyrë të jashtëligjshme nga vendi jonë drejt vendeve të BE-së.

Ndërkohë vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” e kryer në bashkëpunim.

Top Channel