Publikimi i pagave, reagon qeveria: Dokumenti ilegal, gati denoncimi në prokurori

22/12/2021 15:06

Qeveria shqiptare të mërkurën ka reaguar në lidhje me publikimin e të dhënave personale dhe sensitive të mbi 630 mijë qytetarëve, shtetas shqiptarë dhe të huaj që punojnë në Shqipëri.

Në një njoftim për mediat, qeveria sqaron se analizat paraprake tregojnë qartësisht se nuk ka ndodhur asnjë eksport dixhital i databazës së pagave për periudhën janar – prill 2021 në fushat e dokumentit të hedhur në qarkullim.

Dokumenti ka një numër të ndryshëm nga personat e deklaruar dhe është bashkim i disa copave të ndryshme. Po ashtu databaza digjitale zyrtare e të dhënave të disponueshme nuk e përmban fushën “Emri i Plotë” siç lexohet në këtë dokument ilegal”, citohet nga njoftimi.

Në të njëjtin njoftim theksohet se Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka mbyllur prej rreth një muaji termat e referencës për procedurën e hapur ndërkombëtare të auditimit për efekt të çertifikimit me standardet ISO të sistemit informatik të tatimeve, e cila shpallet zyrtarisht javët e ardhshme.

Po ashtu, Ministria e Financave dhe Ekonomisë po përgatit denoncimin zyrtar për prokurorinë, në kërkim të zbardhjes së kësaj ndërhyrjeje kriminale në databazën e pagave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.

Pagat dhe numrat e identitetit të mijëra qytetarëve janë shpërndarë ditën e sotme në disa grupe “WhatsApp-i”. Pas ankesës së një grupi qytetarësh për publikimin e të dhënave personale, Prokuroria e Tiranës ka nisur verifikimet.

Prokuroria do të kërkojë zyrtarisht në Drejtorinë e Tatimeve dhe Institutin e Sigurimeve verifikim për nxjerrjen e dokumenteve zyrtare.

Top Channel