Ambasadorja amerikanë uron ditën e rinisë/ Yuri Kim: SHBA, pranë Shqipërisë

08/12/2021 11:53

Urimeve për 8 Dhjetorin iu bashkua edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim

Përmes një postimi në rrjete sociale, Kim shkruan se: “Sot, ne nderojmë studentët guximtarë të cilët 31 vjet më parë protestuan sypatrembur kundër një prej regjimeve më mizore të Europës, duke kërkuar fundin e komunizmit dhe fillimin e një epoke të re lirie, pluralizmi, ekonomie tregu, lirie fetare dhe lirie të fjalës. Ata kërkuan një Shqipëri “si gjithë Europa”.

“Ne”, thekson e dërguara e Washigtonit në Tiranë, “jemi krenarë që kemi qëndruar në krah të popullit shqiptar atëherë dhe do të qëndrojmë krah tij ndërsa ata përqafojnë të ardhmen”.

Sot shënohet Dita Kombëtare e Rinisë. Prej vitit 2009, me vendim të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.

Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë.

Lëvizja Studentore e vitit 1990 është e vetmja Lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë.

Top Channel