Restaurimi i murit antik të qytetit të Durrësit, Yuri Kim: Pasuri e jashtëzakonshme e Shqipërisë dhe dëshmitare e historisë së saj

07/12/2021 16:21

Procesi i ringritjes së kullës C të Kalasë së Durrësit, muret e së cilës u rrënuan gjatë tërmetit të 26 nëntorit u ndoq nga afër këtë të martë nga ambasadoret e SHBA-së dhe Suedisë në vendin tonë.

Nga Durrësi, ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe ajo suedeze Elsa Hastad theksuan rëndësinë e ruajtjes së vlerave historike dhe të ndihmës së miqve në kohë të vështira.

Më kujtohet se kur erdha këtu ishte thjesht muaji janar, se më kujtohet fare mirë se sa shumë punë po bëhej me procesin e rindërtimit dhe e kuptoj po gjithashtu se puna nuk ka mbaruar dhe ende vazhdon. Siç të gjithë ju jeni në dijeni, Shqipëria është një vend i jashtëzakonshëm ka një histori shumë të pasur, unë kam pasur mundësinë të vizitoj kështjellat e saj, vilat, urat, veprat e artit dhe madje edhe mbetjet e jashtëzakonshme të qyteteve antike”, tha ajo.

Ambasadorja amerikane thekson se pikërisht këto monumente qëndrojnë si dëshmitar të jashtëzakonshëm të historisë së Shqipërisë, kulturës dhe qëndrueshmërisë së saj të palëkundur. Sipas saj, çdo njeri që vjen të vizitojë Shqipërinë ka pasur mundësinë të shohë dhe të admirojë atë që shqiptarët kanë si trashëgimi kulturore dhe historike, por edhe dëshirën e madhe për t’i ruajtur këto thesare.

Ne jemi shumë krenarë si ambasadë e SHBA-së që të jemi pjesë e përpjekjeve rindërtuese. Dëshiroj gjithashtu të falënderoj arkitektët dhe inxhinierët e trashëgimisë kulturore pa kufi, të cilët kanë punuar pa u lodhur për të studiuar çdo detaj të kësaj pike referimi dhe për t’u siguruar se çdo pjesë të kuptohet dhe të mbrohet për brezat që do të vijnë”, tha Kim.

“Në 2019 tërmeti na mësoi ku të ndërhyjmë dhe si të bashkëpunojmë edhe në raste të paparashikuara. Ky rrënim muri forcoi bashkëpunimin me partnerët, si ai me organizatën Trashëgimi pa Kufij dhe ambasadën amerikane që akordoi 800 mijë dollarë dhe mbështetje për restaurimet. Ky është një shembull i mirë i besimit, fleksibilitetit dhe miqësisë në kohë të vështira”, tha Elsa Håstad, ambasadore e Suedisë në Tiranë. 

Ringritja e Kullës C, pjesë e mureve rrethuese të Durrësit antik, ndërtuar në periudhën e perandorit Anastas I, po bëhet nga organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij me mbështetjen e Fondit të Ambasadorëve.

Në prani të tyre dhe mjaft ekspertëve dhe studentëve të degës së turizmit, autovinçi i specializuar për peshat e rënda vendosi një bllok autentik 24 tonësh mbi blloqet e tjera të Kullës, pikërisht nga vendi ku ishte rrëzuar.

Shtetet e Bashkuara në qershor të 2020-ës nënshkruan një grant prej afro 800,000 dollarësh për restaurimin e fortifikimeve në Krujë, Durrës dhe Prezë.

Projekti i Fondit të Ambasadorëve të SHBA-së për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore e filloi punën për restaurimin e Kullës C në Durrës, duke vazhduar më pas në Teqenë e Dollmës në Krujë, në Kalanë mesjetare të Prezës dhe në Kullën e Sahatit të Kështjellës së Krujës.

Që nga krijimi i tij në vitin 2001, Fondi i Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore ka ofruar mbështetje financiare për më shumë se 1,000 projekte në mbi 125 vende të botës.

Top Channel