Çmontuan bobinat e transformatorit dhe vodhën 100 litra vaj, policia në kërkim të autorëve/ Arrestohet edhe një 51-vjeçar

07/12/2021 09:48

Policia e Dibrës ka vënë nën pranga një 51-vjeçar dhe ka proceduar penalisht 3 persona të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Policia arrestoi në flagrancë shtetasin N. Ç., 51 vjeç, banues në Dibër, pasi është konstatuar nga shërbimet e policisë duke drejtuar automjetin e tij në gjendje të dehur, në masën 0.89 mg/l. Ky shtetas ka kundërshtuar me forcë shërbimet e policisë gjatë shoqërimit në Komisariat.

Ndërkaq, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit G.K ., 15 vjeç, D. K., 43 vjeç, banues në Dibër, pasi dyshohet se kanë vjedhur disa vegla pune në kantierin e nxjerrjes së mermerit në vendin e quajtur ‘Guri i Kuq’, Dibër.

Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen F,GJ., banuese në Dibër, pasi është konstatuar duke kryer punime pa lejen e organeve kompetente.

Ndërkaq, gjatë natës së djeshme, në fshatin Zenisht është dëmtuar një kabinë elektrike, ku persona të pa identifikuar kanë rrëzuar në tokë transformatorin, e kanë çmontuar bobinat, më pas kanë vjedhur rreth 100 litra vaj.

Policia po punon intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.

Top Channel