“Të paktën të jetonte vajza e vogël e ta bëja nuse”/ “Masakra e Libofshës”, rrëfimi prekës i familjarëve

06/12/2021 13:41
Mustafa Pupa

Mustafa Pupa dhe bashkëshortja e tij Vezirja janë të vetmit e mbetur gjallë nga familja Pupa, pesë anëtarët e saj mbetën të masakruar në vitin 1992.

Petriti, Zenepja, Agimi, Rajmonda dhe  Magdalena Pupa vetëm 8 muajsh u masakruan nga disa persona të cilët hynë për të grabitur.

Nga kjo ngjarje u identifikuan dy autorë, vëllezërit Josif dhe Dritëbardh Çuko nga fshati Libofshë i Fierit, të cilët u shpallën fajtorë për vrasje të shumëfishtë në atë që u quajt “Masakra e Libofshës”.

Varja u realizua me 25 qershor të vitit 1992, në mes të qytetit të Fierit dhe trupat u lanë të varur deri mbrëmjen tjetër, për t’u parë nga turma njerëzisht që erdhën edhe nga qytetet e tjera.

Vëllezërit e varur në mes të Fierit

Mustafa dhe Vezire Pupa në një intervistë për “Shqipëria Live” në Top Channel treguan momentet kur gjetën trupat e vrarë të familjarëve të tyre.

“Pashë dritaren, mamaja ishte e gjallë, vdiq në spital, kurse goca vdiq rrugës. Jetoj tek shtëpia e prindërve se nuk dua të shkelë njeri në gjakun e tyre. Jam i liruar se ata u varën se sa t’i shikoja kur të dilnin nga burgu”, tha  Mustafa Pupa.

“Kam qenë nuse në këtë shpi kur kanë qenë gjallë, nuk lodhem kurrë së foluri për ata njerëz. Të paktën të jetonte vajza e vogël e ta bëja nuse”, tha Vezirja.

Kujtojmë se “Masakra e Libofshës” erdhi sërish në kujtesën e shqiptarëe pas vrasjes së Mateos 8-vjeçar nga fqinji i tij në Greçalli të Fierit.

Në qytetin e Fierit, të pushtuar nga dhimbja e madhe për humbjen e një djali 8-vjeçar, familja e Mato Vasiu kërkon dënim kapital me varje për autorin e vrasjes Klodian Çalameni.

Top Channel