Komisioni i Ekonomisë voton pro Denar Bibës si kryetar i Autoritetit të Konkurrencës

06/12/2021 14:16

Komisioni i Ekonomisë miratoi këtë të hënë me votat e mazhorancës Denar Bibën si kryetar të Autoritetit të Konkurrencës.

Në lidhje me kandidaturën e tij, deputeti socialist Erion Braçe shprehu jo pak rezerva, duke deklaruar edhe votën e tij kundër. Ai theksoi se Denar Biba nuk ka qenë asnjëherë një funksionar i Partisë Socialiste dhe as anëtar i asaj dhe aq më tepër deputet apo kryetar organizate.

Braçe tha se Biba ka qenë në një detyrë shtetërore për të cilën shprehu rezerva, madje për të gjithë institucionin e Prokurorimit Publik të asaj kohe që është shkarkuar i gjithi.

Për mua, kandidatura e zotërisë, të cilin s’e kam votuar as kur u bë anëtar i Autoritetit të Konkurrencës, i cili njeh shumë mirë fushën e zgjedhjeve, të drejtën Kushtetuese, por këtë lëmin për të cilin po e ngarkojmë me përgjegjësi, ashtu si në atë lëmin e Prokurorimeve Publike që e ngarkuam me përgjegjësi, nuk ka njohje. Kam edhe rezerva për integritetin e zotërisë”, tha Braçe.

Deputeti socialist shprehu rezerva edhe për sa i përket performancës së tij si anëtar i Autoritetit të Konkurrencës, duke theksuar se deri më tani vlerësimi për të është komplet negativ.

Më vjen të them që në këtë fushë nuk ka lidhje. E dyta, kam rezerva për integritetin e zotërisë. Po e lëmë me kaq, kur të jetë përballë ia them. Në Shqipëri po zhvillohen procese kushtetuese, dhe kam vetëm një qëndrim për të gjithë. Puna e bërë deri më tani në autoritetin e Konkurrencës, është thelbësisht negativ, i jam referuar qëndrimeve publike të marra në atë institucion. Kam lexuar çdo gërmë të qëndrimeve të tij atje. Vlerësimi është negativ. Nuk është kuptuar fare roli i atij institucioni, ai është për të mbrojtur interesin publik. Përtej interesit publik, në mbrojtje të 10 kompanive, nuk është përmbushje e detyrës”, tha Braçe.

Emri i Bibës pritet t’i shkojë tashmë Kuvendit për të marrë votëbesimin e deputetëve.

Top Channel