Arrestohen katër persona në Fier, ja për çfarë akuzohen/ Shpallet në kërkim edhe një tjetër që ‘bëri për spital’ një 61-vjeçare

06/12/2021 11:30

Katër persona janë vënë nën pranga për vepra të ndryshme penale, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim nga policia.

Një aksident u shënuar në aksin rrugor Strum-Suk, ku një automjet tip ‘Volkswagen’ ka përplasur dy automjete dhe për pasojë mbeti e plagosur një 61-vjeçare, e cila ndodhet në spital, ndërsa policia po punon për kapjen e autorit të ngjarjes.

“Në rrugor Strum-Suk, një automjet tip “Volkswagen” është përplasur me automjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin B. Sh., 28 vjeç, dhe më pas ka përplasur motomjetin tip “Honda”, me drejtuese shtetasen F. M., 61 vjeçe, e cila ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, dhe është larguar nga vendngjarja. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkaq, një 37-vjeçar u arrestuar në flagrancë, pasi për motive të dobëta ka ushtruar dhunë fizike ndaj ish bashkëshortes së tij.

Një 20-vjeçar, i cili mbante armë të ftohta me vete po ashtu është vënë nën prangat e policisë, ndërsa janë arrestuar edhe 2 drejtues automjetesh.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin M. H., 20 vjeç, banues në Rromës, Mallakastër, pasi në një lokal në Levan, Fier, gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë, këtij shtetasi iu gjetën një thikë dhe një dorezë metalike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin V. Gj., 37 vjeç, banues në Lushnjë pasi për motive të dobëta ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasit:

M. M., 18 vjeç, banues në Fier, pasi duke drejtuar automjetin tip “Benz” pa leje drejtimi, ka goditur një automjet të parkuar dhe është larguar nga vendngjarja.

A. B., 49 vjeç, banues në Ballsh, pasi është kapur duke drejtuar motomjetin pa leje drejtimi”, njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.

Top Channel