Bashkimi Europian nuk e ka komentuar zyrtarisht emërimin e ish-shefit të Komitetit Ushtarak të NATO-s, Sir Stuart Peach, si i dërguar i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor.
Por pavarësisht kësaj heshtjeje të Brukselit, kjo lëvizje u pa si dëshmi e faktit që Londra, edhe pas Brexit-iti kërkon të ketë rol të rëndësishëm në rajon. Mes Anglisë dhe bllokut europian ka pasur shumë mospajtime së fundi, megjithatë diplomatët shpresojnë se kjo nuk do të dëmtojë bashkëpunimin në ato fusha, ky dy palët kanë interesa të përbashkëta.
Një prej këtyre fushave është Ballkani Perëndimor, sidomos situata e tensionuar midis entiteteve në Bosnje e Hercegovinë dhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, deklaroi vetëm se “Mbretëria e Bashkuar nuk është anëtare e BE-së” dhe “nuk kemi çfarë të komentojmë për emërimet në nivel kombëtar”.
Caktimi i Sir Stuart Peach erdhi pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë angazhuar dy diplomatë të lartë për rajonin: Gabriel Escobarin për Ballkanin Perëndimor dhe Mattheë Palmerin për reformën zgjedhore në Bosnje e Hercegovinë.
Top Channel