Të dyshuarit vrasës, “burg 30 ditë”/ Vendimi i gjykatës së Shkodrës. Alibia e familjarëve: Djali ishte në Kosovë

04/12/2021 19:36

“Arrest me burg për 30 dite” ka vendosur Gjykata e Shkodrës për dy të ndaluarit si autor të vrasjes së ish-deputetit dhe ish-kryetarit të komunës Velipojë, Pashko Ujka.

Gjatë seancës maratonë, Kristian Kelmendi i dyshuari kryesor dhe Marjan Kola si bashkëpunëtor, kanë kërkuar lirinë pasi sipas tyre janë të pafajshëm dhe nuk kanë lidhje me këtë ngjarje. Ata thonë se në momentin që ka ndodhur vrasja, kanë qenë në Kosovë dhe në dispozicion të gjykatës kanë vendosur një fletëregjistrim në një prej poligoneve të qitjes në Prishtinë, sipas të cilit, mbrëmjen e së hënës, në orarin e vrasjes, Kelmendi dhe Kola kanë rezultuar në poligon.

Kjo provë sipas trupës gjykuese është e pamjaftueshme, prandaj ka kërkuar që dy të ndaluarit të qëndrojnë pas hekurave derisa të paraqiten provat filmike nga poligoni në Kosovë. Gjatë rrëfimit të tij në sallën e gjyqit, Kristian Kelmendi ka pranuar se njihet me familjen Ujka por ka theksuar se nuk ka konflikte me ta.

Ndërkohë, sipas avokatit mbrojtës të dy të ndaluarve, prova që faktojnë përfshirjen e tyre në këtë ngjarje nuk ka. Familjarët e të ndaluarit Marjan Kola kanë kërkuar lirimin e tij dhe hetimin në kushte shtëpie pasi sipas tyre është i pafajshëm, teksa thonë se është edhe në gjendje të rëndë shëndetësore.

Top Channel