Ministrja e Punëve të Jashtme, Znj. Olta Xhaçka, mori pjesë në takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut (NAC), në format të Ministrave të Punëve të Jashtme, takim ky i cili po zhvillohet në Riga, Letoni, me pjesëmarrjen e Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken dhe Sek të Përgj të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Në ndërhyrjen e saj, Ministrja për Evropën dhe Punëve të Jashtme, Znj. Olta Xhaçka nënvizoi rëndësinë e veçantë të integrimit të plotë Euroatlantik.
Ajo bëri po ashtu thirrje që Ballkani Perëndimor të jetë në fokus të Konceptit Strategjik të Natos.
“Rajoni i detyrohet shumë ndërhyrjes së NATO. Por sot ka ardhur koha që të shkohet një hap më përpara duke e përfshirë Ballkanin Perëndimor në Konceptin Strategjik 2022, duke çuar njëkohësisht një sinjal të fortë kundër të gjithë atyre fuqive që po perpiqen të sabotojnë integrimin euroatlantik, duke nxitur dasi e destabilitet përmes taktikave hibride”, tha mes të tjerash Ministrja Olta Xhaçka.
Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve aleate trajtuan çështje me rëndësi për sigurinë euroatlantike duke bërë një vlerësim të mjedisit të sigurisë, përfshirë situatën në kufijtë e Polonisë, Lituanisë, Letonisë me Bjellorusinë. Ministrat aleate trajtuan gjithashtu dhe përforcimet ushtarake Rusisë në dhe përreth Ukrainës.
Vizita e Ministres Xhaçka në Letoni, vjen pas Forumit të Gjashtë të Unionit të Mesdheut që u mbajt në Barcelonë, në fillim të kësaj jave.
Sot pasdite, kryediplomatja shqiptare do të udhëtojë drejt Suedisë, ku do të mbahet Ministeriali i 28-të i Këshillit të OSBE-së.
Top Channel