Përmbyset gomonia me emigrantë pranë Anglisë, 31 të vdekur – Johnson: Po “i vret” Franca!

25/11/2021 13:03

Të paktën 31 refugjatë kanë humbur jetën pas fundosjes së një varke në kanalin e La Manshit, mes tyre edhe gra e fëmijë.

Në varkë besohet se mund të kenë qenë të paktën 50 persona. Peshkatarët zbuluan 15 trupa të pajetë që pluskonin në ujë, e pas kësaj, një anije e marinës franceze gjeti dhe të tjerë. Zyrtarët francezë nuk e përjashtojnë mundësinë që numri i viktimave të rritet.

Lajmi vjen në një kohë kur një numër rekord emigrantësh kanë tentuar që të kalojnë nga Franca në Mbretërinë e Bashkuar këtë vit.

Duke folur për gazetarët e mbledhur para Downing Street, kryeministri britanik Boris Johnson tha se ishte “i tronditur dhe thellësisht i pikëlluar” nga tragjedia.

Ai kërkoi që Franca të bëje më shumë për t`i ndaluar njerëzve përpjekjet e kalimit përmes detit në Britani, duke nënkuptuar se indiferenca po rezulton me jetë të humbura njerëzish.

Kjo është fatkeqësia më e madhe e emigrantëve që përpiqen të kalojnë La Manshin. Franca duhet të shtojë përpjekjet, tha kryeministri britanik, sepse trafikantët e qenieve njerëzore po vrasin njerëz e po dalin pa lagur nga e gjithë kjo situatë.

Pasi qeveritë e të dy vendeve i forcuan së tepërmi masat ndaj hyrjeve të paligjshme sidomos me kamionë, shumë emigrant tani përpiqen të kalojnë La Manshin me gomone ose varka të vogla.

 

Top Channel