Kampi më i madh në botë me 1mln refugjatë Rohinga, që strehohen në Bangladesh të ikur prej dhunës nga Mianmar (fotot)

25/11/2021 15:44

Pamje të pabesueshme ajrore tregonin sot masën e vërtetë të kampit më të madh të refugjatëve në botë në Bangladesh, ku njerëzit jetojnë në banesa të improvizuara pas largimit nga shtypja në Myanmar.

Kampi i  Kutupalong shtrihet në më shumë se pesë milje katrorë dhe strehon 1 milionë refugjatë Rohingya, shumë prej të cilëve të tmerruar nga bandat kriminale apo hakmarrjet e policisë së Bangladesh, shkruan britanikja Daily Mail.

Fotografi Azim Khan Ronnie, 35 vjeç nga Dhaka, Bangladesh, bëri fotot në fillim të vitit.

Ato tregojnë mijëra shtëpi shumëngjyrëshe dhe rrugët e ngushta dredhuese që i ndajnë, që nga lart duket sikur krijojnë një qilim të pafund.

“Këtu shihen mijëra shtëpi”, thotë Ronnie. “Përzierja e të kuqes, të gjelbrës e të bardhës së shtëpive, tregon njerëz që i largohen dhunës në vendin e tyre Mianmar.”

Rohinga janë një grup etnik musliman që prej gushtit 2017 largohen prej dhunës në Mianmar.

Bangladeshi po strehon më shumë se 1 milionë prej tyre në kampe pranë bregdetit, siç është dhe  Kutupalong që është zmadhuar gjatë viteve duke u kthyer në një qytet më vete.

Fotot e realizuara me dron nga Ronnie tregojnë rrugët në ngjyrë portokalli, që ngjasojnë me lumenj në mes të kampit të dendur.

Kampi ndahet gjithashtu nga rrugë ujore dhe shtëpi të improvizuara rreth tyre.

Natën ngjyrat e shndritshme zëvendësohen nga dritat drithëruese të ndriçimit.

Disa prej rezidentëve i tremben dhunës së grupeve të armatosura  dhe asaj të autoriteteve, shkruan rrjeti Al Jazeera.

Aktivisti Mohibullah u qëllua për vdekje në kamp në shtator.

Refugjatët thanë për rrjetin Al Jazeera se vrasja është kthyer në një pretekst për policinë e Bangladeshit për t’u bërë të dhunshëm ndaj tyre.

FOTO GALERI
1/22
Fotot e realizuara me dron nga Ronnie tregojnë rrugët në ngjyrë portokalli, që ngjasojnë me lumenj në mes të kampit të dendur.

Top Channel