Mjetet ajrore të aeroplanmbajtëses britanike, në garë për avionin e rrëzuar

24/11/2021 03:13

Aeroplanmbajtësja kryesore e Britanisë, Queen Elizabeth, ka nisur kthimin nga misioni i saj shtatë-mujor në rajonin e Indo-Paqësorit.

Marina publikonte sot pamje të mjeteve të saj ajrore, duke shprehur besim për rekuperimin e një prej gjuajtësve të saj F-35 që ra në detin Mesdhe gjatë një aksidenti. Humbja e avionit të sofistikuar ka shkaktuar siklet në flotën britanike dhe gjithashtu një garë me kohën për të rekuperuar trupin e tij para se ta bëjë një prej rivalëve të NATO-s.

Edhe zyrtarët e NATO-s thanë se do të mund të rekuperojnë mjetin e tyre, të humbur pas ngritjes nga aeroplanmbajtësja, para se ta bëjë Rusia.
Ata shtonin se Rusia mund të tentojë ta bëjë këtë për të studiuar e kopjuar teknologjinë e ndërtimit të mjeteve të avancuara të luftës.
“Ne do ta gjemë të parët, jua premtoj,” tha gjenerali amerikan Simon Doran, në luftanijen britanike.

Ndërsa komandanti i NATO-s për Evropën, Gjeneral Tim Radford, u tha gazetarëve në aeroplanmbajtëse se nuk ishte shumë i shqetësuar. “Nuk jemi shumë të shqetësuar por po punojmë për çështjen. Kishte shqetësim vetëm për rrëzimin e avionit. Por piloti shpëtoi, kjo është e rëndësishme”.
Ai dhe të tjerë nuk pranuan të jepnin të tjera detaje mbi incidentin.

Komandanti i luftanijes britanike Steve Moorhouse, e quajti humbjen e avionit F-35B “incident shumë i pafat”. Gjuajtësit F-35B janë dizenjuar për ngritje vertikale ose me pistë të shkurtër, dhe janë varianti më optimal për aeroplanmbajtëset.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA