Ministrja e Arsimit, Evis Kushi bëri me dije sot se është vendosur që në të gjitha shkollat në vend do të ketë vetëm një tekst të unifikuar të librit të abetares.

Të gjithë nxënësit e klasës së parë në vitin e ri shkollor 2022-2023 do të marrin në duar një Abetare të re dhe të gjitha shkollat në të gjithë vendin do të përdorin të njëjtin tekst të unifikuar dhe të përmirësuar.

Vendimin u mor sot në mbledhjen e qeverisë për të përjashtuar Abetaren nga procedura që kryhej deri më sot, ku mësuesit e klasës së parë kishin mundësi të përzgjidhnin tekstin me të cilin do punonin, nga 3 alternativat e miratuara në Ministrinë e Arsimit.

“Sot në këshillin e ministrave morëm vendim të rëndësishme që lidhet me përjashtimin nga procedura e përzgjedhjes së mësuesve në bazë shkolle të tekstit të abetares. Në arsimin parauniversitar për çdo lëndë ne kemi tekste alternative dhe mësuesit e çdo lënde mblidhen dhe zgjedhin një nga tre alternativat të miratuara. Ne sot kemi vendosur që nga kjo procedura të përjashtohet teksti i abetares për nxënësit në klasën e parë. Të gjithë nxënësit e klasës së parë në të gjitha shkollat do të kenë një tekst të unifikuar.

Mësimi i gjuhës amtare është një nga objektivet më të rëndësishme. Abetarja është libri i parë që përballet nxënësi kur ulet në bankat e shkollës. Nga takimet me ekspertët kemi dakordësuar që për Abetaren të kemi një tekst të unifikuar, për të pasur një qasje dhe një metodologji të barabartë. Do të punojmë intensifikisht në mënyrë që në fillimi të vitit shkollor 2022-2023 të gjithë vogëlushët të kenë të njëjtën abetare”, tha Kushi.

Top Channel