Autobusi “me bombën brenda”; Kosovë, Bullgari, Maqedoni ditë zije për viktimat

24/11/2021 13:59

Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bullgaria janë në zi kombëtare pas aksidentit tragjik që shkaktoi 45 viktima. Po një ditë më parë, sakaq të paktën 9 persona humbën jetën në një zjarr që shpërtheu në një azil pleqsh në Bullgarinë lindore, ndaj për Sofjen tragjedia ishte e dyfishtë, duke e nxitur qeverinë bullgare të shpallë 24 nëntorin ditë zije për të gjithë kombin. 

Në Maqedoninë veriore, zija zgjat tre ditë ndërsa flamujt do të ulen në gjysmë-shtizë dhe do të anulohen të gjitha organizimet publike. Shumica e viktimave të ngjarjes së tmerrshme, ishin shqiptarë.

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, i cili ka udhëtuar në Bullgari menjëherë pas lajmit për aksidentin, thotë se dy shtetet po bashkëpunojnë ngushtësisht për të zbardhur sa më parë shkaqet e kësaj fatkeqësie dhe për të identifikuar viktimat.

Ministri maqedonas i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se gjendja shëndetësore e 7 të mbijetuarve “dy të lënduar u janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjike, në këmbë dhe pjesë tjera të trupit, por edhe ata janë në gjendje të qëndrueshme”, ka deklaruar Filipçe.

Mediat bullgare, kanë bërë të ditur se hetimet për aksidentin mund të zgjasin deri në gjashtë muaj.

Autobusi i aksidentuar, bashkë me tre autobusë të tjerë kanë qenë duke udhëtuar nga Stambolli në Maqedoni të Veriut. Vasko Pirgov, ekspert bullgar i motorëve, i cili është raportuar se ka qenë ndër të parët që ka shkuar në vendin e aksidentit, ka thënë se zjarri është përhapur në pjesën e përparme të autobusit ku edhe besohet të jenë mbajtur rezerva me karburante që mund të kenë nxitur zjarrin.

Shoferi sipas tij nuk frenoi, dhe ka shanse ta ketë zënë gjumi sepse autobusi ishte i ri dhe mosfunksionimi i mundshëm teknik i lë hapësirë vetëm 10 për qind.

Mund të kenë dështuar frenat, por sinqerisht nuk besoj, shprehet ai.

Autoritetet maqedonase kanë nisur procedurat për t`i hequr licensën kompanisë “Besa Trans”, e cila rezulton të mos kishte leje për udhëtimet ndërkombëtare për autobusin e tragjedisë.

Top Channel