Deputeti i PD-së, Agron Shehaj në një komunikim për mediat këtë të martë tha se do të shkojë në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Sali Berisha që do të mbahet më 11 dhjetor.
Ai theksoi se mbi 4200 firmat e mbledhura nga foltorja e Berishës janë të sakta dhe të vërteta, duke shprehur anën që do të mbajë.
“Do shkoj në 11 dhjetor se numrat për të thirrur kuvendin janë të vërteta dhe të sakta”, tha Shehaj.
Kujtojmë se deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj këtë të martë është paraqitur në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka për të verifikuar një pjesë të firmave të delegatëve.
Në një video të publikuar nga zyra e Palokës, në praninë e kamerave të televizioneve, deputeti demokrat i telefonon një delegati të degës 5-së në Tiranë për ta pyetur nëse firma e vendosur në formularin e dorëzuar nga ish-kryeministri Berisha për të mbledhur Kuvendin Kombëtar të kësaj partie me datë 11 dhjetor ishte e tij.
Nga biseda mes Shehajt dhe delegatit, kuptohet se firma ishte vendosur me vullnet të plotë, ndërsa deputeti vazhdon me telefonatat e tij me delegatë të tjerë, veçanërisht në degët 5 dhe 7 në kryeqytet.
Top Channel