“Spiune turke”/ U përplas me Mitsotakis, sulmohet gazetarja holandeze në Athinë

20/11/2021 15:28

Komisioni Europian preferoi të heshtë e të mos komentojë mbi kërcënimet e marra prej gazetares holandeze Ingeborg Beugel, e cila u detyrua të largohet nga Greqia pasi u kthye në shënjestrën e fraksioneve të ekstremit të djathtë dhe medias pro-qeveritare greke, si dhe disa episodeve të dhunshme.

Beugel, u përplas me kryeministrin grek gjatë një konference për shtyp, ku e akuzoi atë hapur se gënjen mbi situatën e emigrantëve dhe kthimet e detyruara në det.

Por pas këtij momenti, qëndrimi në Greqi iu kthye në ferr.

Një zëdhënës i Komisionit refuzoi të komentonte mbi çështjen, duke thënë se nuk ka informacion të mjaftueshëm, ndërsa më vonë shtoi se i takon autoriteteve vendore të hetojnë mbi incidente të tilla.

Në një deklaratë të lëshuar me këtë rast thuhej se “kërcënimet ndaj gazetarëve merren shumë seriozisht, pasi ata duhet të jenë në gjendje ta bëjnë punën e tyre në siguri të plotë”, pa u përmendur sakaq emri i Beugel.

Ajo rrëfeu se ishte përballur me një fushatë të jashtëzakonshme urrejtjeje pas konferencës së Mitsotakis, dhe ishte sulmuar me gurë nga një burrë që e kishte quajtur “spiune turke”.

Pas kësaj, Ministria e Jashtme e vendit të vet e ka këshilluar të largohet nga Athina.

Top Channel