Familjarët, të afërm, nxënës e qytetarë të thjeshtë, pasi protestuan para Gjykatës së Fierit, nisën marshimin drejt qendrës së qytetit.
Ata kërkojnë drejtësi për Mateon dhe dënim me vdekje për Klodian Çalamenin, për të cilin gjykata dha vendimin e arrestit me burg, në mungesë.
Familjarët ndërkohë kanë nisur të mbledhin firma për të kërkuar dënim maksimal për 38-vjeçarin, që pasi e mashtroi të voglin, e vrau dhe e groposi në oborrin e shtëpisë së tij.
Masë e dënimit me vdekje është hequr nga legjislacioni shqiptar në vitet ’90. Avokati i caktuar për të mbrojtur autorin e vrasjes se 8-vjeçarit është tërhequr duke mos pranuar të mbrojë 38 vjeçarin, Klodian Çalameni.
Vrasja e 8-vjeçarit Mateo Vasiu dy ditë më parë nga fqinji i tij ka tronditur mbarë opinionin duke sjellë reagime nga qytetarë, të njohur të tij dhe figura të politikës.
Mateo 8-vjeçar u përcoll dje për në banesën e fundit mes lotësh dhe dhimbjesh nga familjarë, shokë dhe qytetarë të Fierit.
Top Channel